Është duke u mbajtur këtë të shtunë në Tiranë protesta e tetë kundër rritjes së çmimeve.
Me mijëra qytetarë u mblodhën fillimisht në sheshin “Skënderbej”, ndërsa më pas marshuan drejt kryeministrisë me pankarta në duar.
Ka pasur disa skenarë për protestën e së shtunës. Një skenar ishte ngritja e disa çadrave pranë kryeministrisë, skenari i dytë ishte që protestuesit të qëndronin 24 orë në shesh, ndërsa skenari i tretë, protesta të vazhdueshme çdo ditë para kryeministrisë në orën 17:00.
Ndërkohë, policia ka shtuar masat për mbarëvajtjen e protestës, duke u vendosur në zona të ndryshme të kryeqytetit.
Nga Durrësi, kryeministri Rama është shprehur se qeveria është duke bërë atë që nuk po e bën asnjë shtet tjetër sa i përket çmimit të energjisë.
“Ne po bëjmë atë që asnjë vend se ka bërë akoma. Pash që Franca ka bërë një kompensim, por jo të plotë. Ne po bëjmë kompensimin e plotë të faturës së energjisë. Ne sot jemi në mars dhe të gjitha problemet i kemi përpara. Kjo do të thotë se do të shkundim të gjithë buxhetin e shtetit që të mos vijë te ju. Jam dakord që janë rritur kostot, por kjo ka ardhur si pasojë e krizës së përgjithshme”./A2/