UBT News

Vijojnë bombardimet amerikane në Jemen, SHBA: Kemi vrarë liderë të grupit rebel Huthi, mbi 53 viktima

Rebelët Huthi në Jemen raportuan sulme të tjera ajrore amerikane kundër tyre, me bilancin e viktimave që arriti në 53, përfshirë 5 fëmijë. Objektivat në zonat e Al Jaouf dhe Hudaydah u goditën herët gjatë së hënës sipas grupit rebel, ndërsa Komanda Qendrore Amerikane deklaroi se forcat e veta po vijonin operacionet.

SHBA nisi atë që e quajti valë decisivë dhe të fuqishme sulmesh ajrore ndaj objektivëve Huthi të shtunën, si pjesë e përpjekjeve për të ndaluar sulmet e tyre ndaj mjeteve lundruese në Detin e Kuq. Uashingtoni tha se disa figura kyçe Huthi ishin mes viktimave, por grupi nuk e ka konfirmuar këtë. Lideri i grupit, Abdul Malik al-Houthi, njoftoi se militantët do të shënjestronin anijet amerikane në Detin e Kuq, për aq kohë sa SHBA të vazhdonte sulmet ndaj Jemenit.

Teksa përditësoi bilancin, një zëdhënës i Ministrisë së Shëndetësisë, Anis al-Asbahi, postoi në rrjetin social X se 53 persona ishin vrarë, përfshirë 5 fëmijë dhe 2 gra, dhe se 98 ishin plagosur.

Në një prononcim për mediat amerikane, këshilltari i sigurisë kombëtare, Michael Waltz, tha se sulmet ajrore të së shtunës kishin shënjestruar një sërë udhëheqësish Huthi, duke i eliminuar ata. Ndërkohë, sekretari i Mbrojtjes, Pete Hegseth, u zotua për një fushatë raketore të pandërprerë deri në ndaljen e sulmeve rebele. Nga ana e tyre, Huthët pretendojnë se do të vazhdojnë të godasin anijet në Detin e Kuq, derisa Izraeli të heqë bllokadën ndaj Gazës dhe se forcat e veta do t’i përgjigjen sulmeve.

Exit mobile version