UBT News

Vidhen stoli me vlerë mbi 12 mijë euro dhe 1 mijë euro para të gatshme, arrestohet një 49 vjeçar

Një 49 vjeçar u arrestua dje në Mitrovicë për veprën penale “Blerja, pranimi ose fshehja e sendeve te përfituara me kryerjen e veprës penale’’.

Policia sot informoi se më 3 nëntor në Stacionin Policor Jugu Mitrovicë ishte raportuar një rast i vjedhjes, ku në një fshat të Mitrovicës persona të panjohur kishin hyrë në një shtëpi, duke shfrytëzuar rastin kur në shtëpi nuk kishte qenë asnjë person dhe kishin vjedhur stoli ari me vlerë rreh 12 mijë e 100 € dhe para të gatshme prej 1 mijë e 100 €.

Lidhur me këtë u arrestua i dyshuari N.H, 49 vjeçar, me ç’rast, me urdhër të gjyqtarit të procedurës paraprake, u kontrollua një lokal argjendarie në Mitrovicë, ndërsa pas kontrollit u sekuestruan stolitë e arit, të cilat dyshohen se ishin vjedhur me datën 03.11.2022 dhe ishin blerë nga i dyshuari.

“I njëjti është intervistuar nga ana e hetuesve në prezencën e avokatit mbrojtës ndërsa pas procedurës së intervsitimit me urdhër të prokurorit të dyshuarit i është caktuar masa e ndalimit policor prej 48 orësh.”, bëri të ditur Policia.

Hetimet në lidhje me këtë rast do të vazhdojnë.

Exit mobile version