UBT News

​Veteranit të UÇK-së i caktohen 30 ditë paraburgim në Serbi

Autoritetet gjyqësore të Serbisë i kanë caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh shtetasit të Kosovës, Avni Qenaj, nën pretendimet për përfshirje në krime lufte gjatë vitit 1999.

Lajmin e ka konfirmuar Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, duke theksuar se ky veprim përbën vazhdimësi të ndjekjes politike ndaj qytetarëve të Kosovës përmes akuzave të pabazuara dhe të motivuara politikisht.

Autoritetet gjyqësore të Serbisë kanë iniciuar procedurë penale ndaj Qenajt dhe i kanë shqiptuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh, me pretendime për krime lufte të vitit 1999. MPJD thekson se ky veprim vazhdon praktikat e ndjekjes politike ndaj qytetarëve të Kosovës”, thuhet në njoftim.

Ministria ka bërë të ditur se përmes Zyrës Ndërlidhëse në Serbi do të vazhdohet monitorimi i rastit dhe do të ndërmerren të gjitha veprimet diplomatike për mbrojtjen e të drejtave të Qenajt. Në kuadër të këtij angazhimi, ambasadori i Kosovës në Serbi, Jetish Jashari, e vizitoi një ditë më parë Qenajn në Qendrën e Paraburgimit të Gjykatës së Lartë për Krime të Luftës në Beograd, duke i ofruar mbështetjen institucionale të qeverisë.

Qenaj ka deklaruar se gjatë qëndrimit në arrest policor ka përjetuar presion psikologjik, por pa keqtrajtim fizik, dhe aktualisht nuk po i nënshtrohet dhunës në paraburgim. Ai gjithashtu ka bërë të ditur se ende nuk është vizituar nga familjarët, të cilët kanë angazhuar katër avokatë për përfaqësimin e tij ligjor.

Shtetasi kosovar u arrestua më 26 nëntor 2025 në pikëkalimin kufitar në Merdarë, gjatë udhëtimit drejt Bosnjë-Hercegovinës, ku familja e tij zhvillon aktivitet biznesor. Pas arrestimit, ai qëndroi 48 orë në Prokuplje dhe më pas u transferua në Beograd, ku më 28 nëntor iu bë njoftimi për nisjen e procedurës penale dhe caktimin e paraburgimit.

Exit mobile version