UBT News

Veteranët reagojnë pas vendimit të Supremes: Vendimmarrje e drejtë dhe e guximshme

Gjykata Supreme e Kosovës ka shpallur të paligjshëm dhe shfuqizuar nenin 14.A të Udhëzimit Administrativ që kërkonte vërtetim nga ATK se aplikuesi nuk është në marrëdhënie pune si kusht për realizimin e pensionit të veteranit-luftëtar.

Lidhur me këtë vendim kanë reaguar nga Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Nga OVL e kanë mirëpritur këtë duke thënë se rikthehet në vend padrejtësia që iu është bërë veteranëve.

“Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e përshëndet vendimin e Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës, e cila ka shfuqizuar nenin diskriminues të Udhëzimit Administrativ Nr.01/2025, që kufizonte të drejtën e veteranëve për kompensim financiar”, thuhet në njoftim.

Sipas tyre ky vendim është një fitore e drejtësisë dhe e ligjit, sepse rikthen në vend një padrejtësi të bërë ndaj shumë veteranëve që, pavarësisht se janë të punësuar në sektorin privat, u ishin mohuar të drejtat ligjore të përfitimit nga skema e kompensimeve.

Gjykata Supreme ka konstatuar saktë se e drejta e veteranëve nuk mund të varet nga fakti nëse janë apo jo në marrëdhënie pune, por nga natyra e punëdhënësit, duke përjashtuar vetëm ata që paguhen nga buxheti i shtetit, ndërsa duke garantuar të drejtën për të gjithë ata që punojnë në sektorin privat.

OVL-UÇK falënderoi Gjykatën Supreme për vendimmarrjen e drejtë dhe të guximshme, e cila sipas tyre kontribuon në forcimin e shtetit ligjor dhe në mbrojtjen e të drejtave të atyre që sakrifikuan për lirinë e Kosovës./S.K/EO/

Exit mobile version