Ndonëse Gjykata Speciale ka ndryshuar datën e mbajtjes së seancës gjyqësore që pritej të mbahej më 17 shkurt, nuk ka ndryshuar qëndrimin e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së. Kësisoj OVL e UÇK-së do të protestojë në përvjetorin e Pavarësisë së Kosovës.
Trupi gjykues në rastin e Thaçit dhe të tjerëve ka vendosur ta ndryshojë datën e seancës ndaj krerëve të UÇK-së, duke e caktuar 15 shkurtin, seancën e radhës.
Për këtë, ushtruesi i detyrës së kryetarit së kësaj organizate, Faton Klinaku ka thënë protesta do të mbahet, përkundër ndryshimit të datës së seancës.
“Ju e dini që si Gjykatë prej themelimit të saj e kemi konsideruar politike dhe kjo përveç që është dëshmuar në shumë seanca gjyqësore që e kanë pas krerët e UÇK-së por edhe pjesëtarë tjerë, dëshmohet edhe me këtë caktimin e datës 17 shkurt, kur është dita e Pavarësisë. Ata qëllimisht i bëjnë këto, sepse me këtë që e bëjnë, e ulin poshtë edhe shtetin e Kosovës, duke u thirr se janë Gjykatë e Kosovës. Po ashtu duke pas për bazë se atje i kemi ish-krerët e shtetit dhe të mbahet seancë në përvjetorin e Pavarësisë së Kosovës, me të vërtetë është absurde dhe gjë që e dëshmon katërçipërisht që është Gjykatë politike”, ka thënë Klinaku, duke shtuar se protesta do të mbahet më 17 shkurt.
Klinaku ka thënë se ora dhe vendi i mbajtjes së protestës do të caktohet në ditët në vijim.