Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) thotë se shtatë nga 24 spitalet janë “pjesërisht funksionale” në veri të Gazës dhe përballen me mungesë personeli dhe furnizimesh.
Objektet janë “pa staf të mjaftueshëm mjekësor të specializuar për të menaxhuar vëllimin dhe gamën e lëndimeve, as ilaçe dhe furnizime mjekësore të mjaftueshme, karburant, ujë të pastër ose ushqim për pacientët ose stafin”, tha OBSH përmes një deklarate.
OBSH-ja dërgoi 19 mijë litra karburant në spitalin al-Shifa të martën, pasi u përball me vonesa në një pikë kontrolli dhe në rrugë të dëmtuara.
“Shërbimet thelbësore si laboratorët bazë dhe objektet radiologjike janë funksionale së bashku me kujdesin e urgjencës, një njësi kirurgjikale me tri salla operacioni, kujdes pas operacionit dhe një njësi të dializës”, njoftoi OBSH-ja./UBTNews/