Sipas statistikave të fundit, vetëm gjatë dy muajve të parë (janar dhe shkurt) të këtij viti në Kosovë janë regjistruar 241 raste të divorceve. Psikologu Imri Zabeli në një intervistë dhënë për UBTNews shpjegon se shkaqet e divorceve janë të shumta dhe variojnë nga kontekstet sociale në të cilat jetojnë çiftet. Sipas tij, ndër arsyet më të shpeshta janë mungesa e mirëkuptimit mes çifteve, rolet gjinore që iu atribuohen burrave dhe grave dhe natyrisht edhe dhuna qoftë fizike apo psikike.
Psikologu Zabeli thotë se shkaktarë të tjerë që çojnë drejt divorceve janë përdorimi i lëndëve narkotike, pastaj alkooli, të cilat rrjedhimisht prodhojnë sjellje devijante. Ai vlerëson se në rastet kur nuk ka mundësi që situata të zgjidhet përmes kompromisit, divorci është zgjidhje e shëndetshme. Tutje ai shpjegoi gjerësisht se cilat janë efektet e divorcit te çiftet dhe te fëmijët e tyre.
“Efektet e divorcit te çiftet, nëse divorci ka ndodhur shpejt pa u shfrytëzuar mundësitë për ta ruajtur lidhjen, natyrisht që sjell vuajtje dhe depresion. Te fëmijët, pas divorcit të prindërve nëse realcionet mes prindërve vazhdojnë të jenë toksike dhe dekurajuese sjellin shumë pasoja negative, si pasiguri, frustrim, keqzhvillim emocional, dhe reagime sociale keqpërshtatëse”, deklaroi ai.
Zabeli vlerëson se nëse çiftet arrijnë ta pranojnë divorcin si opsion të shëndetshëm e kanë më të lehtë ta tejkalojnë periudhën pas ndarjes./UBTNews/
Donjeta Maliqi, studente në Shkenca Politike në UBT