Kryeministri Edi Rama, gjatë mbledhjes së përbashkët të qeverive të Shqipërisë dhe Kosovës, u shpreh se “sfida e përbashkët është rritja e zbatueshmërisë së marrëveshjeve dhe të realizojmë një sinergji të plotë mes të dyja shteteve, në të gjitha fushat”.
“Sot e sjellim bashkëpunimin më pranë njerëzve, çojmë në një fazë tjetër lehtësimin e lëvizjes së lirë, të punësimit dhe ndërveprimin më të madh mes dy bashkësive në dy anët e kufirit”, tha Rama.
“Më vjen mirë që sot angazhohemi për heqjen e lejeve të qëndrimit të përkohshëm dhe hapjen e pikës kufitare të përbashkët në Shishtavec”, shtoi kryeministri.
Më tej, Rama deklaroi se sot firmoset marrëveshja për zbatimin e lehtësirave në kontrollin e mallrave.
“Jemi të qartë që nga të dyja anët kemi nevojë të përmirësojmë kushtet për hapjen e tregjeve. E dimë që një pjesë e madhe e kësaj problematike lidhen me burokracitë dhe jo arsyet objektive për të mos vazhduar me zhbllokimet e mëtejshme, që të integrojmë plotësisht tregjet tona. Prandaj më vjen mirë që sot firmosim marrëveshjen për zbatimin e lehtësirave në kontrollin e mallrave”, deklaroi kreu i qeverisë shqiptare.