Ecja e përditshme prej vetëm 7,000 hapash mund të mjaftojë për të përmirësuar funksionin e trurit dhe për të mbrojtur organizmin nga disa sëmundje, sipas një studimi të publikuar në The Lancet Public Health, ka raportuar BBC.
Ky numër hapash konsiderohet më real sesa objektivi i zakonshëm prej 10,000 hapash që është i popullarizuar si synim ditor.
“Kemi krijuar përshtypjen se duhet të bëjmë 10,000 hapa në ditë, por kjo nuk bazohet në prova shkencore”, shpjegoi autorja, doktoresha Melody Ding.
Sipas saj, shifra 10,000 hapash vjen nga fushata marketingu e viteve ’60 në Japoni, kur në prag të Lojërave Olimpike të Tokios u hodh në treg matës hapash me emrin manpo-kei, “matës i 10,000 hapave”. Ky numër është kthyer në standard të pashkruar që përdoret nga pajisjet e aplikacionet për aktivitet fizik.
Në studimin e ri janë analizuar të dhëna nga më shumë se 160,000 të rritur në mbarë botën, duke krahasuar ndikimin e ecjes në shëndet.
Në krahasim me personat që bënin vetëm 2,000 hapa në ditë, ata që ecnin 7,000 hapa ishin më pak të rrezikuar nga këto sëmundje:
-Sëmundjet kardiovaskulare – ulen me 25%
-Kanceri – ulet me 6%
-Demenca – ulet me 38%
-Depresioni – ulet me 22%
Sipas studiuesve disa prej këtyre përqindjeve mund të mos jenë të sakta, pasi janë mbështetur në një numër relativisht të vogël studimesh, por mesazhi është i qartë: edhe një numër modest hapash, si 4,000, është dukshëm më i dobishëm sesa koha e kaluar ulur me vetëm 2,000 hapa në ditë.
Për shumicën e gjendjeve shëndetësore, përfitimet kishin tendencë të stabilizoheshin pas 7,000 hapash, për zemrën përfitimet shtoheshin me rritjen e numrit të hapave. Udhëzimet aktuale për aktivitet fizik, si ato të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, nuk flasin për hapa, por për kohë: të rriturit këshillohen të bëjnë të paktën 150 minuta aktivitet aerobik të moderuar ose 75 minuta aktivitet intensiv në javë.
Ding ka thënë se kjo mënyrë e përllogaritjes mund të jetë e vështirë për t’u kuptuar, numri i hapave është më konkret dhe i lehtë për t’u ndjekur gjatë ditës.
“Ka njerëz që notojnë, që ngasin biçikletën apo kanë aftësi të kufizuara që nuk u lejojnë të ecin shumë, ndaj udhëzimet ekzistuese janë të domosdoshme. Por rekomandimet për numrin e hapave mund të jenë një shtesë që ndihmon njerëzit të mendojnë për aktivitetin fizik gjatë gjithë ditës”, ka thënë doktoresha.
Edhe ekspertë të tjerë e mbështesin këtë qasje.
“Ky studim sfidon mitin se 10,000 hapa janë të domosdoshëm. Për shumë njerëz, qëllimi prej 5,000 deri në 7,000 hapa është më i arritshëm”, tha doktori Daniel Bailey nga Brunel University në Londër.
Doktori Andrew Scott, shton se “më shumë gjithmonë është më mirë”, këshillon që njerëzit të mos shqetësohen nëse nuk e arrijnë një numër të caktuar çdo ditë. “Nuk ka rëndësi shifra fikse, sidomos në ditët kur aktiviteti është i kufizuar”, ka thënë ai.