UBT News

Vetëm 6 shtretër të lirë në Klinikën e Pulmologjisë, Hoxha: Jemi të përgatitur për çfarë do vale të re

Ndonëse aktualisht situata me COVID-19 është e qetë, megjithatë edhe Kosova po rrezikon që të përballet me valën e katër me koronavirus.

Për një valë të re me COVID-19 është e përgatitur edhe Klinika e Pulmologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës(QKUK). Kështu ka thënë në një intervistë për KosovaPress ushtruesi i detyrës së drejtorit të Klinikës së Pulmologjisë, Musa Hoxha.

Nga 66 shtretër, vetëm gjashtë prej tyre janë të lirë. Hoxha tregon se 60 pacientë janë të shtruar aty e që po marrin trajtim, 27 prej tyre po trajtohen si post-COVID, e që gjendja e tyre është stabile, kurse 33 pacientë të tjerë janë me patologji të tjera.

“Në Klinikën e Pulmologjisë nga 66 shtretër sa i ka kapacitet klinika jonë, i kemi 60 të shtruar. Nga këta 60-të, i kemi 27 pacientë që po trajtohen si post-Covid, kurse pjesa tjetër janë me patologji tjera respiratorë[…] Këta pacient janë pacientë që zakonisht kanë nevojë për oksigjeno-terapi ndjehen të lodhur, rraskapitur dhe janë pacientë që po ashtu janë edhe me sëmundje tjera shoqëruese dhe vërehet të këta pacientë që i sundon edhe ankthi, frika, depresioni dhe problemet tjera”, ka thënë ai.

Ndërkaq sa i përket moshës së personave të shtruar në klinikë mbizotëron mosha mbi 60 vjeç. Nga të shtruarit që janë në këtë klinikë 50% prej tyre janë të vaksinuar kundër Covid-19.

Derisa tha se pritet një valë e re, Hoxha nënvizoi se kjo valë nuk do të jetë aq e theksuar ajo e gushtit e shtatorit.

“Sa i përket pandemisë institucionet shëndetësore përgjithësi kanë bërë edhe një përvoje në veçanti klinika jonë e Pulmologjisë dhe kështu që jemi gjithmonë të përgatitur për çfarë do vale të re edhe pse pritet vale tjetër, por mendojmë që jo e përmasave çfarë ka qenë tash vala e fundit, vala e gushtit dhe shtatorit. Kurse sa i përket gatishmërisë normalisht që gjithë gatishmëria është në nivelin më të lartë të mundshëm për çdo rast”, ka thënë Hoxha.

Ndërsa të mërkurën Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se nga 70 mostra pozitive të COVID-19, të dërguara për analizë në Gjermani, 12 raste kanë rezultuar të kenë qenë të variantit Delta Plus.

Exit mobile version