Një nga parakushtet për fillimin e vitit të ri shkollor, sipas Ministrisë së Arsimit në Kosovë, është vaksinimi i personelit mësimor dhe stafit përcjellës me vaksinën kundër Covid-19.
Sipas ministrisë, deri më tash, nga rreth 23 mijë mësimdhënës në gjithë Kosovën, deri në fund të javës së kaluar janë vaksinuar rreth 7 mijë prej tyre.
Ministrja e Arsimit në Qeverinë e Kosovës, Arbërie Nagavci, tha se mësimdhënësit në Kosovë duhet të vaksinohen dhe të jenë shembull për të tjerët.
Ajo tha se nuk e di me saktësi se pse ekziston një lloj hezitimi te mësimdhënësit për t’u vaksinuar.
“Unë pres që mësimdhënësit, si persona që janë të kualifikuar për të marrë qëndrime e vendimet e tyre, të vaksinohen dhe çfarëdo dyshime që kanë për vaksinën, t’i largojnë edhe për të tjerët. Përmes vaksinimit të tyre, do të jenë shembulli më i mirë edhe për ata që mund të kenë ndonjë hezitim”, tha Nagavci.
Në Kosovë nuk ka asnjë ligj që mund ta detyrojë ndonjë kategori të shoqërisë që të vaksinohet kundër sëmundjes COVID-19, që shkakton koronavirusin.
Vaksinimi i mësimdhënësve, thotë ministrja, Nagavci mbetet obligim moral.
“Pa pasur bazë të mjaftueshme ligjore, nuk mund t’i obligojmë për një gjë të tillë, por pres që mësimdhënësit të jenë shembull i mirë”, tha Nagavci.
Në Ministrinë e Shëndetësisë, përmes një përgjigjeje me shkrim dërguar Radios Evropa e Lirë, zyrtarët thanë se është shumë me rëndësi që mësimdhënësit të jenë të vaksinuar para fillimit të procesit mësimor, për të siguruar mbrojtje nga virusi për veten, për nxënësit/studentët dhe, siç thonë ata, edhe vijueshmëri të rregullt të procesit edukativo-arsimor.
“Mosvaksinimi i personelit shëndetësor nuk ekziston. Mund të ketë raste individuale që ende nuk janë vaksinuar për arsye të ndryshme, por të dhënat nga procesi i vaksinimit tregojnë se personeli shëndetësor në Kosovë, shumica është vaksinuar. E njëjta gjë nuk mund të thuhet tani për tani për mësimdhënësit, por MSH-ja pret që edhe ata do t’i përgjigjen pozitivisht vaksinimit, duke ditur rëndësinë jetike që ka sektori i arsimit dhe ai i shëndetësisë në Kosovë”, thonë nga Ministria e Shëndetësisë pa përmendur ndonjë kategori tjetër të shoqërisë që mund të ketë hezitim për t’u vaksinuar.
Këshilli i Prindërve të Kosovës thotë se me fillimin e procesit të vaksinimit është kërkuar bashkë me Sindikatën e Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (SBASHK), por edhe vetë mësimdhënësit kanë kërkuar që të jenë si kategori me prioritet në procesin e vaksinimit.
Kryetari i Këshillit të Prindërve të Kosovës, Ymret Reshiti, thotë se tash kur janë krijuar rrethanat dhe vaksinat, është e pakuptimtë që ka një hezitim nga mësuesit që të vaksinohen.
“Kjo çka po ndodh, vërtet është zhgënjyese, ky hezitim, kur janë siguruar vaksinat, dhe ka hezitim të madh nga mësimdhënësit që të mos merret kjo vaksinë dhe është e pajustifikueshme”, thotë Reshiti.
Rashiti thotë se për shëndetin e nxënësve, autoritetet duhet t’i kushtëzojnë mësimdhënësit që të vaksinohen.
“Kemi kërkuar nga institucionet tona, nga Ministria e Arsimit, që ta bëjë kushtëzimin që mësimdhënësi, i cili nuk e ka marrë vaksinën, të mos ketë të drejtë të vazhdojë procesin mësimor, do të thotë prej 1 shtatorit. Ne kemi të drejtë në këtë rast sepse ne e mbrojmë shëndetin e fëmijëve tanë”, shprehet ai.
Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), në ditët e ardhshme pritet të koordinohet me Ministrinë Arsimit, për të bërë një apel më të madh që mësimdhënësit të vaksinohen.
Kryetari i sindikatës, Rrahman Jashari, tha se mosmarrja eventuale e vaksinës nga mësimdhënësit, do ta vështirësojë dhe mund ta dëmtojë procesin mësimor.
“Mosmarrja e vaksinës do të krijojë probleme, aq më tepër kur ky varianti Delta është më ngjitës, ashtu siç po thonë ekspertët. Vaksinimi do të mundësonte një vit shkollor më të mbarë e pa probleme edhe në institucionet shkollore”, tha Jashari.
Këshilli i Prindërve të Kosovës, thotë se viti 2020, dhe pjesa e parë e viti 2021, si pasojë e pandemisë, ka qenë sfiduese dhe e dëmshme për procesin arsimor në Kosovë.
Këshilli thotë se ministria dhe mekanizmat e tjerë të vendit duhet të jenë të përgatitur mirë që procesi i arsimit të mos ketë pasoja më të mëdha në vitin e ri shkollor.
Në Francë, parlamenti ka miratuar legjislacion që i bën vaksinat kundër koronavirusit të detyrueshme për punonjësit e kujdesit shëndetësor.
Ligji që i bën të detyrueshme vaksinat për punëtorët e kujdesit shëndetësor, u jep atyre kohë deri më 15 shtator që të vaksinohen – në të kundërtën, rrezikojnë pezullimin.