Ndër zgjedhjet më të paparashikueshme federale në Gjermani, në dekadat e fundit, janë pranë.
Çfarë mund të ndodhë kur kancelarja Angela Merkel të largohet nga zyra dhe kush mund ta zëvendësojë atë?
Pse janë të rëndësishme këto zgjedhje?
Arsyeja kryesore është se Gjermania – shteti më i populluar dhe më i fuqishëm i Bashkimit Evropian – do të ketë një udhëheqës të ri, për herë të parë që nga viti 2005.
Merkel po largohet pas katër fitoreve të drejtpërdrejta në zgjedhje dhe gati 16 vjetësh në detyrë. Kjo periudhë është gati e barabartë me atë të mentorit të saj, Helmut Kohl, i cili njihet për udhëheqjen më të gjatë në Gjermaninë e pasluftës.
Gjatë kësaj kohe, Merkel ka punuar me pesë kryeministra britanikë, katër presidentë amerikanë dhe katër presidentë francezë.
Megjithatë, shpesh ka qenë Merkel ajo që është konsideruar shtylla e rendit liberal perëndimor, udhëheqësja de facto e Bashkimit Evropian dhe gruaja më e fuqishme në botë. Ose, thjesht, “mutti” apo nënë për shumë gjermanë.
Shpesh e akuzuar për mungesë të vizionit të qartë për Gjermaninë dhe Evropën dhe për ngurrim në marrjen e vendimeve të vështira, Merkel ka arritur ta mbajë të bashkuar si vendin e saj, ashtu edhe BE-në, përmes kompromiseve dhe negociatave të pafundme.
Kjo do të marrë fund më 26 shtator, kur gjermanët të dalin në zgjedhje.
Pa një pasardhës të qartë dhe një parti politike të favorizuar masivisht, zgjedhjet mund të shndërrohen në novelë. Puna e madhe do të nisë të nesërmen, me një mori mundësish për koalicionin qeverisës.
Është shumë e mundur që vendi të ketë qeveri të pakicës ose koalicion trepartiak, për herë të parë që nga vitet 1950.
Por, është e mundur që pazari të vazhdojë për një kohë, duke e lënë Berlinin me qeveri të përkohshme deri në Krishtlindje ose më gjatë, dhe BE-në pa timon në kohën kur varianti Delta i koronavirusit dhe fitorja e talibanëve në Afganistan mund ta godasin rëndë kontinentin.
Kush do ta zëvendësojë Merkelin?
Rezultati më real në këtë pikë është se pasardhës i Merkelit do të jetë njëri nga drejtuesit e tri partive më të mëdha politike: ai i Social-Demokratëve (SPD), i Unionit Demokristian dhe partisë së tij simotër Unionit Kristian-Social (CDU/CSU), ose i Të Gjelbërve.
Në katër muajt e fundit, këto parti kanë kryesuar sondazhet në një kohë të caktuar dhe ato janë ende me vetëm disa pikë larg njëra-tjetrës.
Në epërsi aktualisht është kandidati i SPD-së dhe ministri aktual i Financave, Olaf Scholz.
Nëse epërsia aktuale e partisë së tij konfirmohet në ditën e zgjedhjeve, ai do të fitojë shansin e parë për formimin e një qeverie koalicioni.
Edhe pse nuk është nga partia e Merkelit, sondazhet e nxjerrin atë si të preferuar të popullit për kancelar.
Armin Laschet, kandidat nga partia e Merkelit CDU/CSU, ka kryesuar sondazhet në pranverë, por mbështetja për të ka qenë në rënie, prejse Laschet ka nisur të bëjë gafa.
Gafat kanë kulmuar kur Laschet është kapur nga kamerat duke qeshur me një shaka, derisa presidenti i Gjermanisë ka mbajtur një fjalim pas përmbytjeve katastrofike që kanë goditur këtë vend, gjatë verës.
Përmbytjet vdekjeprurëse kanë ndodhur kryesisht në landin Nordernhajn-Vestfallen, ku Laschet ka qenë kryeministër gjatë katër vjetëve të fundit. Kjo ka bërë që njerëzit të pyeten se sa përgjegjësi ka pasur ai për mungesën e dukshme të përgatitjeve.
Olaf Scholz, në anën tjetër, ka premtuar se Ministria e tij e Financave do të shpenzojë shumë në zonat e prekura.
Annalena Baerbock, kandidate e Të Gjelbërve për kancelare, gjithashtu ka përjetuar rritje të mbështetjes në fillim të vitit, por më pas është akuzuar për plagjiaturë dhe për mbushjen e CV-së së saj me informacione të rreme.
Cilat parti ka të ngjarë ta formojnë koalicionin e ri qeverisës?
Kjo vazhdon të jetë një pyetje e madhe. Dhe këtu duhet t’i njihni ngjyrat. Një ngjyrë që mund të hidhet menjëherë poshtë është blu – ngjyra e partisë së ekstremit të djathtë, Alternativa për Gjermaninë (AfD). Asnjë parti tjetër nuk dëshiron të krijojë koalicion me të. Edhe vetë AfD ka humbur pak nga vrulli i saj.
Duke qenë në qendër të vëmendjes në zgjedhjet e vitit 2017, kur ka hyrë në Bundestag për herë të parë dhe është bërë forca më e madhe e opozitës, AfD parashikohet të fitojë këtë herë vetëm rreth 10 për qind të votave.
Kjo na lë me pesë parti dhe me shumë mundësi që tri nga to të formojnë koalicionin: CDU/CSU (e zezë), SPD (e kuqe), Të Gjelbrit (e gjelbër, padyshim), Liberalët FDP (e verdhë) dhe ekstremi i majtë Die Linke (gjithashtu e kuqe, edhe pse ndonjëherë mund të jetë ngjyrë vjollce, për ta ndarë nga Social-Demokratët).
SPD aktualisht kryeson sondazhet me rreth 25% mbështetje.
Nëse ngarkohet me formimin e koalicionit, kjo parti ka shumë të ngjarë t’iu afrohet Të Gjelbërve, të cilët kanë rreth 15-18% mbështetje.
Por, ka gjasa që ata të kenë nevojë edhe për një parti më shumë për të siguruar shumicën dhe mund të arrijnë te Die Linke, duke krijuar një koalicion “kuq-zi-gjelbër”.
Die Linke, e cila duket se do të marrë rreth 7% të votave, është hapur kundër NATO-s dhe pro-ruse. Ajo është një pasardhëse e drejtpërdrejtë e partisë marksiste-leniniste që ka qenë në pushtet në Gjermaninë Lindore.
Edhe pse nuk është e refuzuar në të njëjtën mënyrë si AfD-ja, të qenët e saj në koalicionin qeverisës mund të jetë vështirë e pranueshme për shumë njerëz.
Andaj, koalicioni më i mundshëm për momentin është i ashtuquajturi “semafor” me SPD-në e kuqe dhe Të Gjelbrit, që marrin në bord FDP-në e verdhë.
FDP, pas disa vitesh të vështira, parashikohet të sigurojë rreth 12% të votave.
Por, nëse SPD-ja dështon në përpjekjet e saj, CDU/CSU dhe Laschet, që parashikohet të sigurojnë 20% të votave, mund ta kenë mundësinë për formimin e koalicionit qeverisës.
FDP-ja është një aleate natyrore e CDU/CSU-së dhe ajo mund t’i joshë Të Gjelbrit për të krijuar një “koalicion Xhamajka” – të quajtur sipas flamurit të vendit të Karaibeve.
CDU/CSU dhe SPD hezitojnë të hyjnë në një koalicion tjetër të madh me njëri-tjetrin, por ata mund të formojnë qeverinë “Gjermania” (pas ngjyrave të flamurit gjerman), me FDP-në në bord.
Gjermania nuk ka pasur kurrë një qeveri të pakicës në epokën e pasluftës, por kjo tani mund të ndryshojë, me dy parti që bashkohen dhe marrin mbështetjen e heshtur të një të tretës. Pra, opsionet janë me të vërtetë të shumta.
Si do të jetë ndryshe “Gjermania e re” që del nga këto zgjedhje?
Kjo është pothuajse e pamundur të parashikohet tani, pasi me të vërtetë nuk dihet se çfarë lloj qeverie do të dalë.
Vlen të përmendet se të gjitha partitë kanë fraksione që tërhiqen në drejtime të ndryshme.
Merrni shembull marrëdhëniet me Rusinë dhe Kinën.
CDU/CSU, FDP dhe SPD – të gjitha kanë elemente të ashpra ndaj tyre, por ato kanë edhe krahë që bëjnë biznese me to dhe preferojnë dëmtim minimal të tregtisë dhe marrëdhënieve të mira me Moskën dhe Pekinin.
Të Gjelbrit mund të dalin si më të ashprit nga të gjithë, duke vënë një theks të veçantë në të drejtat e njeriut. Por, partia i ka rrënjët e saj “paqësore” dhe nuk është e interesuar të shpenzojë më shumë për mbrojtjen.
Dhe, është e qartë se një qeveri që do të përfshinte partinë Die Linke, do të trembte shumë aleatë perëndimorë në çështjet e politikës së jashtme.
Megjithatë, ka disa gjëra që ka të ngjarë të ndodhin. Duket se ka gjasa që Gjermania të marrë një kthesë të lehtë në të majtë. Kjo mund të rezultojë që vendi të bëhet pak më pak kursimtar dhe pak më federalist në nivelin evropian – diçka që sidomos Franca do ta mirëpriste.
Gjithashtu, nuk do të ishte e paimagjinueshme që Berlini të bëhet më i ashpër ndaj shkelësve të perceptuar të sundimit të ligjit, si Polonia dhe Hungaria, kur Merkel dhe ndoshta e gjithë CDU/CSU të jenë jashtë qeverisë.