Ish-pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Sejdi Veseli ka thënë se Salih Mustafa nuk mund të ketë kryer krimet për të cilat është akuzuar dhe po gjykohet në Hagë. Veterani i UÇK-së, derisa është përgjigjur në pyetjet e avokatit mbrojtës të Mustafës, ka thënë se në Zllash nuk ka pasur pikë ndalimi për persona duke shtuar që maltretimi i njerëzve nuk ka qenë mision i UÇK-së.
Avokati Julius Von Bone e ka pyetur atë për prillin e vitit 1999 a është në dijeni nëse në atë kohë ka pasur ndonjë person të ndaluar në Zllash. “Nuk e di fare që ka pasur pikë ndalimi në Zllash”, është përgjigjur ai.
Ai ka shtuar që nuk ka dëgjuar as të ketë përmendur dikush diçka të tillë sa i përket pikave të ndalimit apo trajtimit mizor të personave.
“Nuk besoj që ka pasur diçka të tillë se së pari nuk ka qenë mision i UÇK-së me u maltretu njerëzit dhe nuk e besoj që një ushtar i UÇK-së me betim që e ka shkelë betimin e vet. Unë Salihun e njoh mirë edhe askush nuk mund të më bind që Salih Mustafa ka bërë diçka të tillë, një njeri që ka kushtuar jetën, në torturë nëpër burgje për të mirën e popullit të vet dhe po shkel mbi atë, nuk ma merr mendja, fare nuk ma merr mendja”, ka thënë Veseli.
Veseli ka thënë se përvec policisë serbe nuk ka dëgjuar atë kohë që dikush tjetër ka keqtrajtuar njerëz në afërsi të fshatit Zllash.
Një pjesë e seancës është zhvilluar e mbyllur për publikun ndërsa tutje Veseli është përgjigjur edhe rreth ngjarjeve që lidhen me ofensivën serbe në prill të vitit 1999.
Dëshmitari ka thënë se kanë qenë rreth 200 mijë refugjatë në zonën që ishte nën përgjegjësinë e Brigadës 153.
“Para sulmit të këmbësorisë, kur ka filluar ushtria serbe prej pesë drejtimeve me granatu krejt zonën e Brigadës 153 me kalibra jo më të vogël se 120 milimetra, bile është përdorur helikopteri i ndihmës së parë me kryq të keq dhe na ka gjuajtur me ages17 prodhim rus na ka gjuajt me bomba mitrolez dhe faktikisht nëse ka shkelë dikush normat e luftës i ka shkelë Serbia, e ka shkel së pari që ka ardhur në terren të huaj se ne nuk kemi shku me luftu ne Serbi, kanë filluar njerëzit me u tërhek një pjesë e madhe kanë përfunduar në Makovc i kanë pre me thikë”, ka thënë dëshmitari.
Veseli ka thënë se kanë parë njerëz të vrarë në prani të fëmijëve andaj sipas tij krejt këto ngjarje rrëfehen nën emocione.
“Ndoshta mundem me zgjatë ndonjëherë por nuk mundem sepse shpirti flet në këso momente. Ju jeni sigurisht shumica prind, mund të paramendoni si e kanë ndjerë fëmijët, para fëmijëve e kanë prerë me motor sharr, një herë një këmbë pastaj tjetrën, një herë një dorë pastaj në fund e kanë prerë në fyt. Është përmendorja në Makovc rreth 130 vetë që janë prerë aty, pas bombardimit kur ka filluar me lyp shpëtim populli me shku drejtë Shqipërisë ose Maqedonisë”, ka thënë Veseli.
Për Sejdi Veselin, i cili është dëshmitari i 11 në gjykimin ndaj Salih Mustafës, do të ketë edhe pyetje plotësuese në pjesë ne fundit të seancës së sotme në Dhomat e Specializuara në Hagë.
Gjykimi ndaj Mustafës ka filluar më 15 shtator 2021 dhe është i pari në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.
Aktakuza ndaj Salih Mustafës, i cili është i arrestuari i parë nga Specialja, është konfirmuar më 12 qershor të vitit 2020 ndërsa ai u arrestua më 24 shtator të vitit të kaluar, me pretendimin për krime lufte.
Ai po qëndron në qendrën e paraburgimit në Hagë ndërsa në deklarimin e tij para trupit gjykues, Salih Mustafa është deklaruar i pafajshëm.