Me mijëra hektarë tokë bujqësore janë dëmtuar si shkak i vërshimeve dhe daljes nga shtrati të lumit Sitnicë.
Shumë ferma në Vushtrri janë përmbytur, ndërsa nuk kanë arritur të shpëtojnë as bagëtinë. Fermerët e fshatrave të këtij vendi thonë se dëmet janë të mëdha, ndërkohë që u bëjnë thirrje institucioneve për ndihmë.
Sevdaim Sadiku, përfaqësues i fshatit Bukosh tregon për KosovaPress se këto vërshime kanë shkaktuar dëme të mëdha në tokat e tij bujqësore. Ai është vet fermer dhe thotë se më shumë se 60 për qind e tokave të mbjella me grurë, thotë se tashmë janë dëmtuar.
“Ka fermerë se janë dëmtuar dhe është dashur të evakuohet komplet stalla me lopë. Çdo kulturë që është e mbjell aktuale, elbi dhe gruri janë të dëmtuara totalisht edhe tokat. Gruri çka janë të mbjella janë dëmtuar totalisht. Unë i kam 15 hektarë grurë diku 60 për qind janë të dëmtuara”, thekson ai.
Ai tregon se dëme të mëdha janë shkaktuar edhe në shumë ferma të banorëve të kësaj ane.
“Fatmirësisht në një pjesë ende nuk mbërritën vërshimet, por në këtë pjesë poshtë afër nivelit të Sitnicës është vërshuar krejt fshati. Ka dëme të mëdha. Ka fermerë që janë te dëmtuar në ushqime të lopëve, ka të dëmtuar në dele, ka hyrë edhe në shtëpi uji”, thotë ai.
Sadiku nuk mban mend të ketë pasur vërshime aq të mëdha të ujit në qytetin e Vushtrrisë.
“Uji e ka përfshirë nuk mbahet mend një rast i tillë që ka pasur vërshime kaq të mëdha. Faktikisht institucionet janë duke bërë diçka për të tejkaluar këtë problem, por jo edhe kush e di. Janë mobilizuar goxha shumë, por nuk munden me i përfshi t gjitha”, u shpreh ai.
Lutja e tij ndaj institucioneve është që të ndihmohen të gjithë fermerët, meqë sipas tij dëmet janë të mëdha.
Si shkak i kësaj gjendje, komuna e Vushtrrisë gjatë ditës së djeshme ka shpallur gjendje emergjente civile.
Rreth 500 familje janë përmbytur, ndërsa shkollat e Palestra e Sportit në Samadrexhë janë planifikuar për strehim në rast nevoje për familjet që nuk kanë ku të qëndrojnë si shkak i përmbytjeve.