Si pasojë e reshjeve të dendura të shiut, sot në komunën e Pejës janë shkaktuar vërshime.
Nga vërshimet është përfshirë rruga “Bill Clinton” në qytetin e Pejës, ku disa lokale afër rrugës rrezikohen që të përmbyten.
Në këtë qytet, shiu ka depërtuar edhe brenda shkollës ekonomike “Ali Hadri”.
Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës sot ka bërë të ditur se si pasojë e reshjeve të ditëve të fundit, sidomos në pjesën perëndimore, veriperëndimore dhe veriore të Kosovës, disa lumenjë kanë paraqitur disa vërshime të shpejta.
IHMK ka potencuar se situata e vështirësuar hidrometeorologjike pritet që të vazhdojë dhe gjatë ditëve në vijim. “Nivelet dhe prurjet e lumenjëve, pritet të ngriten dhe të shkaktojnë vërshime/përmbytje”, është bërë e ditur në njoftimin e Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës.