Në fare pak kilometra katror, jetojnë dy realitete krejtësisht të kundërta. Lufta për arritjen e një sigurie të qëndrueshme e prosperitetit, i ngjan betejës së Sizifit. Dikush përpiqet fort për sigurinë, ligjshmërinë e gatishmërinë që edhe kjo pjesë ta jetojë çlirimin prej vërteti. Të tjerëve saktësisht kjo u pengon, duke minuar pa kompromis, edhe nën tagrin e kërcënimit e rrezikimit të jetës së qytetarëve, çdo përpjekje për normalizim. Ky është veriu i Kosovës, aty ku gjumi ka nevojë për rojë.
Arbnora Pllana & Florinda Kelmendi, studente të vitit të tretë në Fakultetin Media dhe Komunikim në UBT
Mendimi për t’u nisur drejt komunave veriore të Kosovës, ku veçmas tash, pasiguria është në nivel të shkallës së lartë, natyrshëm përcillet me ndjesi – hezitim e kombinuar me frikë. Ndjenja e sforcuar e pasigurisë, nis me kalimin e urës mbi lumin Ibër, që qytetin e Mitrovicës e ndan jo vetëm në dy pjesë, por edhe në dy komuna atë të Jugut e të Veriut. Ura, gjithëherë paraqet një simbol bashkimi e komunikimi. Por ura e Mitovicës, ka fatin e keq të jetë e destinuar të bëj të kundërtën. Ajo është njëfarë kufiri i pashpallur që prezanton disponime e emocione krejtësisht të ndryshme. Në anën jugore, gjithçka është në rutinën e jetës normale, qarkullimi i njerëzve, të qeshura në rrugë, liri e jetuar e çifte të të rinjve gazmorë.
Ana veriore, sidomos ajo përtej “Lagjes së Boshnjakëve” në Mitrovicën e Veriut, ka një atmosferë tjetër. Është një botë pothuajse krejtësisht e kundërt. Brenda i vlon një tension vërehet në ajër. Pak lëvizje të njerëzve që ecin mendueshëm në heshtje, dyqane të varfëra e prezencë më e shtuar e forcave të ndryshme të rendit, policisë së Kosovës, asaj të EULEX e forcave të KFOR-it. Paradoksalisht, të dy anët jugun e veriun, i njëson një paraqitje vizuele. Mes tyre bëhet ‘beteja e flamujve’. Në veri flamujt e Serbisë janë cep më cep, e të kudondodhur. Si kundërpërgjigje, por më pak për nga sasia, në pjesën jugore dhe në “Lagjen e Boshnjakëve” në veri, valviten edhe dy flamuj: Ai kombëtar shqiptar dhe flamuri i Kosovës.
Sa më thellë brenda ‘kuartelit’ Veri, aq më shumë dendësi ftohëse
Në këto anë, në katër komunat e skajshme të Republikës së Kosovës, Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Zveçan e Leposaviq, nacionalisht popullata është e përzier, me dominim nga serbët. Për të gjithë, pa përjashtim, ka një pasiguri. Serbët lokal, nuk duan të flasin, përkundër përpjekjeve që bëjmë. Ne duam të dijmë më shumë për jetën e tyre dhe ndonjë mendim për situatën. Shumica fytyrëngrysur, sigurisht e shoqëruar nga gjendja që rrethuese. Atyre që u ofrohemi, u vizualizohet edhe një përbuzje të qartë, sidomos kur na dëgjojnë t’u drejtohemi në gjuhën shqipe.
Në anën veriore të urës, na ‘mirëpret’ rresht i gjatë flamujsh të Serbisë. Rrugëtimi mes kësaj gjendjeje të ngarrkuar emotive e situatës së tensionuar në terren, krijon ndjesinë se kemi hyrë në Serbi, ndonëse kufiri me fqinjin verior, është më larg se 35 kilometra që duhet të arrihet përmes rrugës së asfaltuar gjarpërore mes kodrinave me male të ulëta. Shkollat, spitalet, dyqanet, kafiteritë dhe mbishkrimet në mure, janë të gjitha në gjuhën serbe. Të flasësh shqip, pra, nuk duket një gjë e mençur. Të bëhet e ndodhesh në një vend të huaj e goxha të pasigurtë. Përballë urës mbi lumin Ibër qëndronin “rojet e urës” të veshur me të zeza dhe me stemë italiane që të jepnin një ndjenjë sigurie dhe besimi se megjithatë jemi në mbrojten e dikujt.
Situata është tensionuar në veri të Kosovës, me theks mori energji negative pasi serbët lokal të dirigjuar nga politika e Beogradit zyrtar, nuk po pranojnë vendosjen e ligjshmërisë për targat e automjeteve të urdhëruara nga Prishtina zyrtare. Në fakt, agravimi i rrethanave të sigurisë, ka një zanafillë shumë më të gjatë kohore. Për disa struktura të organizuara që konsiderohen me prapavijë kriminale, është e papranueshme mbyllja e shumë rrugëve ilegale të transportit të mallërave të ndryshme që bëhej nga Serbia. Rrugët u mbyllen tash e rreth një vit më parë. Një nga bossët e krimit, i kërkuar në Kosovë e i ndodhur edhe në Lisën e Zezë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, nuk hezitoi të paraqitet edhe me video prononcim, duke theksuar se do jetë aty t’i përgjigjet secilës situatë. Njohësit e rrethanave, shpesh kanë konsideruar se serbët lokal janë viktima të bandave që preferojnë ta kenë oazën e veprimit kriminal, që pos duke manipuluar edhe kërcënojnë qytetarët serb. Regjistrimi i veturave me targa të Republikës së Kosovës, i bërë nga disa serb e dëshmoi këtë. Të gjitha ato vetura u dogjën, vetëm për shkak se disa serb u vendosën target me akronimin RKS.
Përshkallëzimi u thellua edhe më shumë ditë më parë. Serbët, nisur nga kryetarë komunash, gjyqtarë, polic e zyrtarë lokal, në mënyrë demonstrative u larguan nga institucionet shtetërore të Kosovës.
Në gjumë, me roje te dera
Në Çabër, një fshat i ndodhur në thellësi rreth 12 kilometra në verilindje të Mitrovicës, të gjithë banorët janë shqiptar. Siguria për ta, është njëfar luksi. Që nga çlirimi i Kosovës, ata nuk janë ndjerë rehat, pa mundur të mendojnë shumë në përspektivë. Shpresë mbajnë, e lutjen që të bëhet më mirë, e kanë shndërruar në një refren ditor të zakonshëm.
Qëndresa Ferizi, banore e këtij fshtati, thotë se siguri për ta është prezenca e trupave të KFOR-it.
“Dhe gjithashtu Policia e Kosovës”, shton ajo.
Si për t’ua shtuar pasigurinë, përballë tabelës udhëzuese e ndodhur në hyrje të fshatit, qëndronte një flamur gjigand i Serbisë. Ai të krijon përshtypjen që ky lokalitet ndodhet në shtetin e Serbisë, jo në Kosovë.
Për Ferizin, stabiliteti i brishtë që mbretëron mund të prishet lehtë “në rast të eskalimit të situatës e nxitur nga banorët serbë”.
Në “Lagjen e Boshnjakëve”, persona të panjohur e të dyshimtë
Si pasojë e këtyre ngarjeve, në gjithë veriun, por edhe në “Lagjen e Boshnjakëve” ku jetojnë numër më i madh i shqiptarëve, është ngritur sinjali i gatishmërisë së forcave të sigurisë edhe nga forcat ndërkombëtare. Në shumë rrugë të “Lagjes së Boshnjakëve” patrullonin veturat e KFOR-it, Policisë së EULEX-it e të Policisë së Kosovës.
Megjithatë kthimi nga pjesa më e thellë e veriut, në këtë lagje jep dëshmi se shumëçka frymon më ndryshe. Ka ndjesi sigurie më të lartë e jeta ka një rrjedhë më normnale, përkundër që për çdo rast forcat e rendit janë aty. Një popullsi heterogjene me serbë, boshnjakë, ashkanlinjë dhe shqiptarë nuk ta krijonte ndjenjën e vetmisë sikurse sheshi i gjatë me flamujt e varguar të Serbisë. Dyqane e lokale në pronësi të shqiptarëve me mbishkrime në gjuhën shqipe, e ato të serbëve mbajnë mbishkrime në gjuhën e tyre.
Banorët tashmë janë mësuar me këtë jetesë. Mirëpo besimin ndaj njëri tjetrit, thuajse e kanë të pamundur ta fitojnë. Siç mund të imagjinohet, është e vështirë që në derën ngjitur shtëpisë, fqinji i parë të jetë dikush të cilit nuk ia keni besën.
Kështu thotë edhe një i ri, rreth të njëzetave, banor i kësaj lagjeje.
“Rrezikshmëria është e pranishme. Do të duhej që shteti të merr masa në menyrë që ne të jemi të sigurtë. Në të kundërtën, jemi në gatishmëri për mbrojtjen e pronave dhe familjeve tona”, thotë ai, pa dashur të identifikohet.
Duke qenë i lindur dhe rritur në atë pjesë, ai thotë se kohëve të fundit ka parë shumë persona të panjohur, për të cilët mendon se janë të dyshimtë.
“Kjo na shqetëson”, thotë ai, duke shtuar se megjithatë deri më tani nuk kanë pasur ndonjë provokim serioz nga serbët.
Flamujt kombëtar e shtetëror, të vendosur me vetëiniciativë të banorëve, në këtë pjesë të qytetit kishin zënë vend në sheshin që mban emrin e Heroit Komëbar “Adem Jashari”.
“Që t’ju tregojmë banorëve serbë se nuk i lëshojmë shtëpitë tona. Se veriu është i Kosovës dhe jo i Serbisë, siç pretendojnë ata”, thotë njëzetvjeçari që pranon se është njëri nga të rinjtë që u angazhuan për vendosjen e flamujve.
“Besoj e luftoj për këtë vend dhe suksesin e vendit tim”
Remzo Mustafiç, është një banor tjetër që jeton në këtë lagje Ai është boksier. Boshnjaku i ri reprezenton Kosovën në garat ndërkombëtare. Mustafiç ka një ëndërr. E thotë me zërin e plotë, tingëllon fuqishëm, ndoshta pa dashur e citon të famshmin liridashësin Martin Luther King.
“Besoj e luftoj për këtë vend dhe suksesin e vendit tim”, thotë boksieri i ri.
Mustafiç, as që dëshiron t’ia dijë për politikën. Do siguri e normalizim të situatës, për të jetuar të gjithë bashkë pa ndrojtje e frikën se çfarë befasish të këqija mund të sjellë e nesërmja.
“Sepse, problemet nuk kanë të ndalur në këtë pjesë dhe siguria është zero”, thotë ai për UBT Neës.
Autoritetet e rendit, nuk duan të flasin për situatën e tashme, baticat e zbaticat e sigurisë që përcillen kohë pas kohe.
Ura mbi lumin Ibër, dikur ishte shteg që shërbente si një rrugë lidhëse për zhvillimin e komunikimin ndërkulturorë etnik, sot për fat të keq ndanë dy pole, mendësi e realitete komplet të ndryshme nga njëra tjetra.
Popullsia e kësaj ane e vuajnë këtë problem. Vërshtrimi i tyre nga këndi i Mitrovicës së Jugut e deri në Mitrovicën e Veriut shihet me nostalgji, e që dikur ishte synim për një rrugë për paqe dhe zhvillim evropian që mitrovicasit e kishin dashur. Sot dhe tash për tash, nuk është kështu i normaliteti duket mjaft larg.