Në Qendrën Komunale të Numërimit në Mitrovicën e Jugut po vazhdon procesi i verifikimit të rezultateve të raundit të dytë të zgjedhjeve për Kryetar të Komunës, pas vendimit të Prokurorisë Themelore në Mitrovicë për rifillimin e numërimit të ndërprerë hënë për shkak të dyshimeve për manipulim me fletëvotime.
Sipas zëdhënësit të KQZ-së, Valmir Elezi, deri në orën 09:00 të ditës së sotme janë verifikuar rezultatet e 75 vendvotimeve nga gjithsej 105 sa i takojnë kësaj komune.
“Ky proces planifikohet të përfundojë gjatë ditës së sotme”, tha Elezi.
Numëruesit që po verifikojnë votat se edhe gjatë ditës së sotme kanë hasur në fletëvotime me gabime teknike.
Vendimi i Prokurorisë për rifillimin e procesit është marrë pas sqarimit zyrtar nga kompania sllovene CETIS, e cila ka printuar fletëvotimet për zgjedhjet komunale në Kosovë.
Në njoftimin e saj, kompania ka sqaruar se problemi me mospërputhjen e numrave serikë ka ndodhur si pasojë e një defekti teknik në njërën nga pllakat e printerit që përdoret për shtypjen e kodit të qendrës së votimit.
“Kjo pasi kompania CETIS mbi printimin e fletëvotimeve për zgjedhjet komunale në Kosovë, përmes një njoftimi ka shpjeguar se problemi i numërimit ndodhi ekskluzivisht në njërën nga katër kokat/pllakat e printerëve me ngjyrë, përgjegjëse për printimin e numrit të qendrës së votimit, dhe se marrin përgjegjësi për këtë gabim, sipas të cilës në rrethana normale do të ishte pothuajse i pamundur të ndodhte”, thuhet në komunikatën e kompanisë.
Për të ruajtur integritetin e procesit të numërimit, Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka bërë të ditur se ka caktuar dy hetues policorë, të cilët do të jenë të pranishëm gjatë gjithë kohës së verifikimit për të mbikëqyrur procesin dhe për të garantuar transparencë të plotë./S.K/EO/
