UBT News

Verifikohen listat, 47 kandidatë për deputetë kanë problem me ligjin

47 kandidatë që janë pjesë e listave zgjedhore kanë problem me ligjin. Kjo pasi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), ka pranuar përgjigjet nga: Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa; Këshilli Gjyqësor i Kosovës; Ministria e Punëve të Jashtme dhe Agjencia e Kosovës për Inteligjencë, lidhur me verifikimin e listave të kandidatëve për deputetë.

Lajmin e ka bërë të ditur zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi. Ai ka sqaruar se 15 nga 28 subjektet politike që kanë aplikuar për certifikim kanë kandidatë, të cilët nuk janë në përputhje me nenin 29 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme.

“Nga përgjigjja që kemi marrë nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës, rezulton se 15 nga 28 subjektet politike që kanë aplikuar për certifikim kanë kandidatë të cilët nuk janë në përputhje me nenin 29 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, germën ‘q’, e cila specifikon se kandidat për deputet nuk mund të jetë një person i cili është shpallur fajtor për vepër penale me një vendim përfundimtar të gjykatës në 3 vitet e fundit. Në përgjithësi, janë 47 kandidatë nga rreth 1 mijë e 80, të cilët janë shpallur fajtor për vepër penale me një vendim përfundimtar të gjykatës në 3 vitet e fundit”, deklaroi ai.

Me pas ai ka sqaruar se Zyra për Regjistrim të Partive Politike dhe Certifikim do të përgatit Rekomandimin për aprovimin apo refuzimin e certifikimit të subjekteve politike dhe kandidatëve të tyre, rekomandime këto që do të paraqiten në mbledhjen e KQZ-së.

“Pas pranimit të këtyre përgjigjeve, Zyra për Regjistrim të Partive Politike dhe Certifikim do të përgatit Rekomandimin për aprovimin apo refuzimin e certifikimit të subjekteve politike dhe kandidatëve të tyre. Këto rekomandime do të paraqiten në mbledhje të KQZ-së. Sipas Planit Operacional të miratuar nga KQZ-ja, rekomandimet do të bëhen gati gjatë ditës së sotme dhe të nesërme, ndërsa KQZ-ja do të marrë vendim më së largu deri më 22 janar”, shtoi ai.

Edhe partitë politike ka thënë Elezi do të njoftohen për vendimet në mënyrë që të plotësojnë listat e tyre.

“Gjithashtu, do të njoftohen subjektet politike secila prej tyre për përgjigjet që kemi pranuar nga institucionet, në mënyrë që të mund të bëjnë plotësimin e listës me kandidatë të tjerë, në rast se ndonjë kandidat nuk i ka plotësuar kriteret ligjore”, tha ai.

Zëdhënësi i KQZ-së ka bërë të ditur se të gjitha partitë që nuk janë të kënaqura me vendimin kanë të drejtë të ankohen në PZAP dhe Gjykatën Supreme, duke sqaruar se e gjithë ky proces duhet të përmbyllet deri më 31 janar.

“Në rast se ndonjë subjekt politik apo kandidat nuk certifikohet, ai mund të paraqesë ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa. Çështja mund të shkojë deri në Gjykatën Supreme nëse pala mund të jetë e pakënaqur me vendimin e PZAP-it. Kjo periudhë e ankesave dhe e vendosjes është paraparë të përmbyllet deri më 31 janar. Pas saj, më 1 shkurt, pason tërheqja e shortit për renditjen e subjekteve politike në fletëvotimin e këtyre zgjedhjeve”, shtoi ai.

Exit mobile version