Gjermania po përpiqet të kthejë Ballkanin Perëndimor në prioritet të BE. Këtë ka mundur të kuptojë edhe ministrja serbe, Jadranka Joksimoviq gjatë vizitës në Berlin. Por ajo dëgjoi edhe kritikat ndaj Serbisë.
Ulja në dy karrige
Njëkohësisht ministrja e Serbisë për Integrimin Evropian, Jadranka Joksimoviq, përmes bisedimeve me Michael Roth, Sekretarin e Shtetit në Ministrinë e Punëve të Jashtme, siguroi Gjermaninë se Serbia është ende e përkushtuar në rrugën drejt integrimit në BE. Pas bisedimeve me Roth, por edhe me përfaqësuesit e grupeve parlamentare në Bundestag, ajo tha se beson tek mbështetja e plotë e Berlinit në arritjen e qëllimeve të Beogradit në lidhje me zbatimin e reformave, por edhe vazhdimin e negociatave.
Por në një bisedë me DW para takimit me ministren serbe, kryetari i grupit parlamentar të Bundestagut për Evropën Juglindore dhe një nga ekspertët më të mirë për situatën në rajon, deputeti socialdemokrat (SPD) Josip Juratoviq, i nënvizoi vërejtjet e vjetra, të cilat përfaqësuesit serbë i dëgjojnë gjithmonë në Gjermani, kur flasin për angazhimin e Serbisë në rrugën drejt Bashkimit Evropian – mangësitë në fushën e sundimit të ligjit, mangësitë në fushën e drejtësisë dhe lirisë së mediave.
Edhe deputetja Renate Alt, e cila është përgjegjëse e Evropës Juglindore në Partinë Liberale (FDP), thotë për DW, se pengesa më e madhe për Serbinë qëndron në fushën e drejtësisë, lirisë së mendimit dhe sundimit të ligjit. “Serbia në këtë rrugë ka bërë hapa mbrapa e jo përpara”, theksoi Alt, duke shtuar se “nuk është për t’u habitur që Serbia nuk hapi ose mbylli asnjë kapituj negociimi vitin e kaluar”.
Juratoviq, i cili të mërkurën është takuar edhe me ministren Joksimoviq, i dëshpëruar thotë: „Serbia duhet të vendosë, nëse e do Evropën e Orbanit dhe Grupit të Vishegradit, të cilat në BE janë vetëm për shkaqe ekonomike, apo do realizimin e vlerave evropiane. Ne nuk e dimë se çfarë po do Serbia. Ajo do të ketë raporte të mira me të gjithë dhe të rrijë ulur në dy karrige“, theksoi Juratoviq.