Nëse do të flisnim për disa probleme të përbashkëta që na shqetësojnë në këtë stinë, padyshim që do të ishin: zymtësia, melankolia, dhimbja e kokës etj. Këto simptoma cilësohen ndryshe edhe simptomat e “depresionit të vjeshtës”.
Artikulli më poshtë ju sugjeron disa këshilla për ta kapërcyer atë…
Ndryshimi i stinës
Ditët sa vijnë dhe po bëhen më të shkurtra, shiu u kthye përsëri. Pas diellit dhe të nxehtit erdhi vjeshta, e cila të gjithëve u merr humorin e mirë dhe i bën të zymtë. Ekspozimi më i paktë në diell influencon negativisht në humor. Është llogaritur se rreth 15% e popullsisë vuan nga ndryshimi i sezonit, duke përjetuar një rritje të humorit të keq, dhimbje koke, nervozizëm… pra një “depresion vjeshte”. Nuk është supozim në realitet, se zvogëlimi i intensitetit të dritës ul nivelet e serotoninës në organizëm e ju bën të lodhur, të humbur, madje dhe depresivë.
Simptomat
Depresioni i vjeshtës manifestohet me hipersoninë (gjumë i tepruar që vazhdon për një muaj), uljen e humorit, me rritjen e oreksit, që për pasojë çon në shtim në peshë, humbjen e kënaqësisë, frenim psikomotor, përqendrim të dobët, ndjenjë faji, madje edhe me mendime për vdekjen.
Por si mund të luftohet ky depresion?
Ushqim i shëndetshëm
Duhet mbajtur një regjim i shëndetshëm, pa i “besuar” duhanit, kafeinës dhe pijeve alkoolike për t’ju mbajtur në formë apo humor të mirë. Preferoni ushqime energjike dhe të gjalla. Shijoni produktet e stinës, jo vetëm ju ndihmon të qëndroni në formë, por ju “integron” me periudhën që po jetojmë. Rrushi, dardha, hurmat e agrumet janë ilaçi më i mirë. Edhe perimet ju dhurojnë humorin e mirë, falë përmbajtjes së hekurit, beta-karotenit, luteinës dhe mos harroni bishtajoret. Një supë e mirë me perime jo vetëm furnizon organizmin, por me ngjyrat dhe ngrohtësinë e saj, ju përmirëson ndjesitë e jashtme dhe largon mendimet e trishtuara.
Qëndroni ulur sa më pak të mundeni
Duhet të mos qëndroni ulur shumë, se do të dekurajoheni nga koha e keqe. Edhe pse koha është ashtu duhet të dilni, apo të merreni me diçka, ndërsa qëndroni në shtëpi. Lëvizni gjithmonë.
Jetojeni fundjavën
E shtuna dhe e diela duhet të jetohet sa më shumë. Organizoni fundjavat jashtë, me miqtë ose vetëm, duke vizituar qytete artesh, vende interesante etj. Por një mënyrë e mirë për fundjavat janë edhe qendrat e mirëqenies, të estetikës. Fjala më me vend është të qëndroni aktiv.
Bëni fitnes
Aktiviteti fizik është një nga metodat natyrale më efikase për të luftuar atë që anglezët e quajnë “gjendje e dëshpëruar”. Shumë simulant është ambienti i palestrës, i pëlqyeshëm, i frekuentuar nga shumë persona, me të cilët mund të shkëmbehet ndonjë fjalë, ndërsa koha kalon shumë shpejt. Kështu që lëvizja është një antidot i fuqishëm.
Qeshni
Qeshni edhe kur nuk ju qeshet. Kujtoni situata qesharake, momente të bukura kur ishit të lumtur. Mund të lexoni revista a katalogë për të vendosur se ku do të shkoni me pushime verën e ardhshme. Ndizni qirinj, pini një gotë verë, lexoni një libër, apo shihni një film teksa qëndroni të mbuluar me një batanije të ngrohtë.