Liderja e ekstremit të djathtë francez, Marine Le Pen, ka dënuar vendimin e presidentit amerikan Donald Trump për të pezulluar ndihmën ndaj Ukrainës, duke e cilësuar atë si një veprim mizor ndaj ushtarëve ukrainas që po mbrojnë vendin e tyre.
“Është shumë mizore ndaj ushtarëve ukrainas që po mbrojnë atdhetarisht vendin e tyre,” theksoi Le Pen, kryetarja e partisë së ekstremit të djathtë :Tubimi Kombëtar”, gjatë një interviste për gazetën franceze “Le Figaro”.
Sipas saj, administrata amerikane duhet t’i jepte autoriteteve në Kiev një periudhë të arsyeshme për t’u përgatitur para ndalimit të ndihmës.
“Askush nuk mund t’i detyrojë Shtetet e Bashkuara të vazhdojnë mbështetjen nëse nuk e duan më, por Ukrainës nuk i është dhënë një kohë e arsyeshme për të marrë masa,” shtoi Le Pen, duke e quajtur vendimin e Trump si “brutal dhe të dënueshëm”.
Njëkohësisht, Le Pen ka ripërsëritur kundërshtinë e saj ndaj idesë për dërgimin e trupave franceze në Ukrainë, duke argumentuar se koncepti i krijimit të një ushtrie evropiane është “iluziv” dhe se Franca duhet të ruajë interesat e saj kombëtare.
Ajo ka shprehur gjithashtu kundërshtinë ndaj idesë së ndarjes së një “ombrelle bërthamore” me vendet e tjera evropiane, duke argumentuar se kjo do të cenonte sovranitetin e Francës në politikën e saj të mbrojtjes.
“Le Figaro” vë në dukje se Marine Le Pen ka qënë një figurë kontroverse në politikën e jashtme, duke kujtuar se ajo u kritikua ashpër për qëndrimet e saj ndaj Rusisë pas aneksimit të Krimesë në vitin 2014. Në vitin 2017, ajo zhvilloi një takim me presidentin rus Vladimir Putin në Moskë, duke e cilësuar atë si një “patriot”.
Ky ndryshim i papritur në retorikën e saj politike vihet re si një përpjekje për të pozicionuar veten në spektrin politik francez dhe europian në prag të zhvillimeve të reja gjeopolitike.