Venezuela njoftoi të hënën mbylljen e ambasadës së saj në Oslo, pak ditë pasi udhëheqësja e opozitës María Corina Machado fitoi Çmimin Nobel për Paqe.
Qeveria tha se mbyllja ishte pjesë e një ristrukturimi diplomatik, pa komentuar për çmimin.
Norvegjia e quajti vendimin “të pafat” dhe theksoi se Çmimi Nobel është i pavarur nga qeveria norvegjeze.
Machado, e cila prej vitesh kundërshton regjimin e Nicolas Maduros, u vlerësua për “punën e saj të palodhur në mbrojtje të të drejtave demokratike”, ndërsa Maduro iu kishte referuar asaj si “shtrigë demonike”. Ajo tha për BBC Mundo se çmimi i jep “energji dhe shpresë popullit venezuelian”, raporton BBC.
Caracas mbylli gjithashtu ambasadën në Australi, ndërsa hapi zyra të reja në Zimbabve dhe Burkina Faso, të cilat i quajti “partnerë strategjikë” kundër “presioneve hegjemone”.
Ky hap vjen mes tensioneve të rritura me SHBA-në, pasi ushtria amerikane shkatërroi disa anije nga Venezuela që transportonin drogë, duke shkaktuar debate mbi ligjshmërinë ndërkombëtare.
Ngjarja kujton rastin e vitit 2010, kur Kina pezulloi marrëdhëniet me Norvegjinë pas çmimit Nobel për Liu Xiaobo./D.B/KP