Elon Musk, themeluesi i Tesla, SpaceX dhe Neuralink, ka njoftuar se një person i dytë ka përfunduar me sukses një implant cerebral nga kompania e tij Neuralink. Kjo arritje u bë e njohur gjatë një podcasti të organizuar nga shkencëtari i shkencave kompjuterike, Lex Fridman.
Pacienti, Noland Arbaugh, një tetraplegjik që ka humbur lëvizjen poshtë shpatullave për tetë vitet e fundit, ka marrë implantin Neuralink që i lejon të kontrollojë një krusor në ekranin e kompjuterit vetëm me mendjen e tij. Neuralink raportoi se ka bërë ndryshime në algoritmin e implantit për të rritur ndjeshmërinë dhe për të monitoruar më mirë sinjalet e trurit të Arbaugh.
Gjatë podcastit, Musk shprehu entuziazmin e tij për rezultatet e arritura, duke theksuar se Arbaugh ka përmirësuar ndjeshëm shpejtësinë me të cilën mund të kontrollojë treguesin e ekranit, edhe pse vetëm 10-15% e elektrodave janë aktive. Musk vlerësoi se ky implant i dytë ka shkuar “jashtëzakonisht mirë” dhe po funksionon shumë mirë, duke marrë shumë sinjale dhe elektroda.
Musk gjithashtu parashikoi se hapat e ardhshëm për Neuralink do të jenë “gjigantë”, duke synuar rritjen e ndjeshme të numrit të elektrodave dhe përmirësimin e përpunimit të sinjaleve. Sipas tij, Neuralink do të ofrojë implante për tetë pacientë të tjerë këtë vit, si pjesë e provave klinike.
Neurokirurgu Matthew MacDougall, i cili është pjesë e ekipit të Neuralink, e përshkroi procedurën si një nga më të thjeshtat në fushën e neurokirurgjisë. Procedura përfshin një prerje të lëkurës në majë të kokës, një vrimë të vogël në kafkë dhe futjen e elektrodave në korteksin cerebral me precizion të lartë, duke shmangur enët e gjakut. Pas vendosjes së implantit, kafkë e pacientit mbyllet dhe lëkura qepet përsëri, duke e përfunduar procedurën në disa orë.
Neuralink e përshkruan lidhësin e saj ndërmjet trurit dhe kompjuterit si plotësisht të implantueshëm, të padukshëm nga ana estetike, dhe të dizajnuar për të lejuar kontrollin e pajisjeve elektronike kudo që pacienti të shkojë. Kjo arritje shënon një hap të rëndësishëm drejt integrimit më të thellë të teknologjisë në trajtimin e aftësive të kufizuara dhe mund të hapë rrugën për avancime të mëtejshme në këtë fushë/UBTNews/