Në Mitrovicën e Veriut është vendosur gurthemeli për ndërtimin e Zyrës Rajonale të Administratës Tatimore të Kosovës (ATK).
Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, tha se ky projekt do të ofrojë më shumë shërbimet për qytetarë dhe bizneset e kësaj ane, duke ndihmuar edhe zhvillimin ekonomik.
“Ky objekt do t’u ofrojë qytetarëve, tatimpaguesve dhe bizneseve shërbime sa më afër. Njëkohësisht, ndërtimi i aneksit do të gjallërojë këtë zonë dhe do të sjellë edhe shërbime shtesë. Projekti pritet të përfundojë brenda pesë muajve, me një vlerë prej 500 mijë eurosh – pra gjysmë milioni investim,” tha Murati.
Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, e vlerësoi projektin si dëshmi të angazhimit të qeverisë për të investuar në të gjitha komunat e Kosovës, përfshirë edhe veriun.
“Besoj se është një shenjë shumë e mirë që investimet e qeverisë po prekin komunat në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës, përfshirë edhe veriun e vendit,” tha Krasniqi.
Edhe drejtori i Administratës Tatimore të Kosovës, Mentor Hyseni, theksoi rëndësinë e zgjerimit të shërbimeve tatimore në këtë pjesë të vendit.
“Për ATK-në është tejet e rëndësishme që shërbimet për tatimpaguesit të jenë të qasshme në çdo rajon të Kosovës. Ne kemi nisur procesin e fiskalizimit të bizneseve edhe në këtë zonë, dhe ky objekt do të ndihmojë që këto shërbime t’i ofrojmë më afër qytetarëve,” u shpreh Hyseni.
Projekti, që pritet të përfundojë brenda pesë muajve, vlerësohet si një hap konkret drejt përmirësimit të qasjes në shërbime publike dhe integrimit institucional në Mitrovicën e Veriut. /S.K/KP/
