Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Privat, Jusuf Azemi ka thënë se vendimi i Qeverisë për pagesat e shtesave në arsim është përshkallëzim dhe gjest i keq.
Në një intervistë për Ekonomia Online, Azemi ka paralajmëruar inicim gjyqësor, si për çështjen e punëtorëve teknik e të sigurimit të cilët punojnë në spitale, ashtu edhe për ata që mirëmbajnë shkollat. Ai madje ka thënë se këtë kontest do të fitojnë përmes rrugëve ligjore.
“Ne kemi filluar rrugën ligjore që përmes gjyqit ta fitojmë këtë kontest. Është shumë e vërtetë që Qeveria e Kosovës ka bërë një degradim tepër të madh, një përshkallëzim të madh, sepse të paguash para shtesë për shkak të rrezikshmërisë punëtorëve të arsimit të cilët nuk janë të rrezikuar aq sa janë të rrezikuar punëtorët tanë që punojnë direkt me pacientë me Covid. Është një gjest aq sa qesharak aq edhe shumë i keq humanitar që ka bërë Qeveria e Kosovës. Meqenëse Qeveria ka ndarë mjete për punëtorët e arsimit ne kemi kërkuar që edhe punëtorët teknik që mirëmbajnë shkollat duhet të paguhen me mjete shtesë nëse jo në mënyrë të rregullt atëherë ne edhe për këta do të kërkojmë në mënyrë ligjore si për ata teknik e të sigurimit që e kemi filluar”, deklaroi ai.
Sipas Azemit, Qeveria nuk e ka menaxhuar mirë situatën kur ka vendosur për të kompensuar punëtorët e arsimit që nuk kanë qenë të rrezikuar direkt nga pandemia, siç ka ndodhur me rastin e punëtorëve teknik dhe atyre të sigurimit nëpër spitale, raporton EO.
“Përderisa paska mjete për të ndarë për njerëzit që kanë qëndruar në shtëpi gjatë kohës së pandemisë, nuk paska mjete për njerëzit që kanë qenë direkt të prekur. Ky reagim i yni ka ardhur qysh moti para një muaji që i bëjmë këto kërkesa. Qeveria nuk e ka menaxhuar situatën dhe është tepër i rëndë veprimi që kanë bërë. Jam i bindur që ata janë të vetëdijshëm po ka qenë momenti që iu ka shkuar për shtati, përndryshe punëtorët në përgjithësi gjatë kësaj pandemie që nga marsi deri me tash janë sanksionuar, degraduar e të keqtrajtuar sepse pa mëdyshje nuk ka pasur asnjë simulim. Pako emergjente ose ajo për rimëkëmbje ekonomike ka qenë një shtyerje ose një dhënie e mjeteve për kompani, por jo për punëtorë të sektorit privat”, ka thënë ai.
Tutje Azemi është shprehur se për kërkesat e tyre më nuk presin përgjigje nga Qeveria, por nga drejtësia.
“Ne më nuk presim përgjigje nga Qeveria meqë procesi ynë gjyqësor ka filluar. Në dokumente zyrtare kryeministri e ministri janë deklaruar se i takojnë këto mjete, por ata nuk po i qesin. Sipas avokatit që ne kemi angazhuar këto mjete janë të sigurta se do të jenë në llogaritë bankare të punëtorëve megjithatë do të jetë një procedurë për të cilën ne nuk kemi dashur të hyjmë, por na është imponuar”, ka theksuar ai për EO.