UBT News

Vendimi për Manastirin e Deçanit i hap rrugë Kosovës për anëtarësim në Këshill të Evropës

Javën e kaluar në mbledhjen e Qeverisë, kryeministri Albin Kurti bëri të ditur se i ka kërkuar Agjencisë Kadastrale të Kosovës, të zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese që 24 hekatarë tokë të kalojnë në pronësinë e Manastirit të Deçanit.

Njohësi i çështjeve të sigurisë, Bedri Elezi për UBTNews thotë se me këtë veprim, Kosova mund ta fitoj kushtin për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

“Unë besoj se ky është një veprim me të cilin edhe zoti Kurti paraprakisht është pajtuar në takimet të cilat janë mbajtur jashtë publikut dhe jashtë medias. Dhe me këtë veprim mendoj se Kosova do ta fitoj kushtin për t’u anëtarësuar në Komisionin Evropian dhe do të përfitojë kohë sa i përket realizimit të projektit apo zotimit për Asociacionin dhe tanimë Kosova karshi presionit ndërkombëtar mund të thotë se neve kemi bërë lëvizjet e duhura dhe tani do të kërkojë që Serbia të jetë ajo që duhet të bëjë veprime për të ardhur deri te zbatimi i Marrëveshjes së Ohrit”, deklaroi ai.

Në anën tjetër, Elezi përmendi edhe rrezikun që mund të vije nga dhënia e këtyre hektarëve Manastirit të Deçanit.

“Në aspektin e sigurisë e shohim jo të dobishme për faktin që në Banjska manastiret ishin kryesisht objekte që u shfrytëzuan për aktivitete të dhunshme, ku kishim edhe një sulm terrorist ku u vra një polic i Kosovës, rreshteri Afrim Bunjaku”, shtoi ai.

Në rast se Kosova merr dritën e gjelbër në Asamblenë Parlamentare, atëherë fjalën e fundit duhet ta japë Komiteti i Ministrave të Këshillit të Evropës. Sipas qeverisë së Kosovës, kjo pritet të ndodhë në muajin maj./UBTNews/

Realizoi: Dea Berisha

 

Exit mobile version