Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, ka reaguar lidhur me vendimet e Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Serbisë për të larguar letrat ngjitëse në targa të automjeteve, dhe lejimin me targat në RKS në Serbi.
Cramon theksoi se ky është një hap më shumë drejt realitetit në të cilin Serbia de-facto e njeh Kosovën si shtet.
“Nuk ka më ngjitëse në tabela të automjeteve kur udhëtoni nga Kosova në Serbi dhe anasjelltas. Ajo që ishte dizajnuar si masë e përkohshme tani është përfundimisht e tepërt. Një hap më shumë drejt realitetit në të cilin Serbia de facto e njeh Kosovën si shtet dhe kontribuon për paqe dhe përparim në rajon”, është shprehur Cramon në rrjetin social “X”.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se vendimi i marrë të enjten vonë për heqjen e regjimit të letrës ngjitëse për automjetet me targa serbe ka ardhur pasi Policia e Kosovës raportoi se vendimi i Serbisë për të lejuar targat RKS – Republika e Kosovës – të lëvizin lirshëm në territorin e këtij shteti, po zbatohet plotësisht.
Përmes një shkrimi në Facebook, Kurti tha se nëse do të ketë ndryshim të qasjes nga autoritetet serbe, shteti i Kosovës do të veprojë.
Serbia vendosi t’i lejojë automjetet me targa RKS të lëvizin lirshëm në territorin e saj nga fillimi i kësaj jave.
“Nga raporti i policisë sonë e cila ka monitoruar gjithçka me shumë vëmendje jemi njoftuar që kemi zbatim të plotë, dhe se nuk ka pasur incidente a pengesa. Andaj, bazuar në parimin e reciprocitetit si një premisë e rregullimit të marrëdhënieve të shteteve të pavarura, mbrëmë morëm vendim që njësoj të lejohen edhe automjetet që vijnë nga ana tjetër e kufirit me targa të Serbisë”, tha Kurti, duke theksuar se ky fillon të zbatohet pas publikimit në Gazetën Zyrtare.