Ishulli finlandez i Ulko-Tammio po u kërkon turistëve që të shkëputen plotësisht nga telefoni i tyre, duke synuar të bëhet një destinacion pa telefon.
“Ne nxisim vizitorët që t’i lënë vullnetarisht telefonat dhe t’i përqendrojnë shqisat në natyrë, jo në telefonat e tyre”, tha Joel Heino, menaxheri i vizitorëve në Parks & Wildlife Finland.
Ulko-Tammio, i cili ndodhet në brigjet e Hamina, në rajonin Kotka-Hamina, është një nga rreth 100 ishujt e Parkut Kombëtar të Gjirit Lindor të Finlandës.
Është i njohur për zogjtë dhe bimët e rralla, si dhe për “natyrën e bukur, me brigjet e thyera shkëmbore.
Një ish vend kufitar i kohës së luftës, ishulli ka shtigje natyrore, një kullë zogjsh, një shpellë, që u ndërtua për t’u përdorur si strehë gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe dy topa të restauruar.
Vizitorët mund të hyjnë në Ulko-Tammio me varkë private, traget ose taksi uji dhe të zgjedhin të qëndrojnë gjatë natës në tenda ose kabina.
Ideja për ta bërë zonën një zonë pa telefona, erdhi duke parë efektet e varësisë ndaj teknologjisë.
Varësia ndaj teknologjisë, shpeshherë rritet, kur jemi duke udhëtuar, pasi ka një pritshmëri dhe trysni në rritje, për të ndarë ato momente pushimesh, në vend që t’i shijojmë ato, shpjeguan organizatorët.
“Njerëzit nuk duhet të qëndrojnë përpara ekraneve gjatë gjithë kohës”, tha Terhi Mustonen, psikolog dhe menaxher në Fondacionin Sosped.
“Edhe një pushim i shkurtër dixhital, mund të jetë i dobishëm dhe të përmirësojë mirëqenien tonë dhe të ndihmojë në lehtësimin e simptomave të ankthit dhe depresionit”.
Ulko-Tammio ndodhet në një zonë me mbulim të plotë telefonik dhe rregulli është teknikisht fakultativ.
Por, destinacioni shpreson, që me këtë nismë, më shumë njerëz do ta kthejnë vëmendjen nga ekranet te peizazhi, për t’u zhytur vërtet në përvojën e të qenët me pushime – dhe të jetuarit me të vërtetë në këtë moment.
“Ne duam t’i nxisim pushuesit që të fikin pajisjet telefonike dhe të ndalojnë për të shijuar plotësisht ishujt”, tha në një deklaratë Mats Selin, i cili është pjesë e ekipit të Visit Kotka-Hamina.
Qëllimi më i madh është që udhëtarët ta përcjellin atë mentalitet në gjithë rajonin, dhe përfundimisht në të gjitha udhëtimet e tyre./Travel