Ishulli Anglesey në bregun veriperëndimor të Uellsit është një vend paqësor. Shumë pak turistë e vizitojnë, pasiqë ka shumë pak atraksione.
Ky vend ka një histori domethënëse, sidoqoftë Anglesey ose siç njihet në Uells – Ynys Môn – ishte njëherë qendër e kulturës druide – dhe për disa shekuj shërbeu si vendstrehim për kryepriftërinjtë keltë.
Llanfairpwllgwyngyllgogerychwyrndrobwllllantysiliogogogoch është emri i fshatit me 3 mijë banorë në juglindje të ishullit. Përkthyer në anglisht do të thotë: Kisha e Marisë në zgavrën e Lajthisë së Bardhë pranë Vorbullës së Egër dhe Kisha e Tysilios pranë Shpellës së Kuqe.
Me 58 shkronja, është emri më i gjatë me një fjalë kudo në Evropë. Shqiptimi i drejtë i këtij emri është pothuajse i pamundur për ata që s’e flasin atë gjuhë, dhe madje edhe ata që jetojnë në atë ishull e quajnë shkurtimisht “Llanfairpwll”. Por nëse dyshonit se kjo mund të jetë trashëgimi e keltëve, e keni gabim. Emri pothuajse i pashqiptueshëm në fakt erdhi shumë vonë.
Fshati u lidh me rrjetin hekurudhor në mesin e shekullit të 19-të. Këtu u vendosën zejtarë dhe tregtarë, por biznesi funksiononte me hapa të ngadaltë. Një rrobaqepës i zgjuar shpiku rrotulluesin e gjuhës për ta bërë vendin më interesant. Strategjia e tij kreative funksionoi, dhe fshati i Uellsit u bë mëse i njohur në Britani të Madhe dhe tërhoqi një numër të madh vizitorësh.
Emri i tij i pazakontë ende tërheq njerëzit. Madje tabela e vendosur në stacionin hekurudhor është një imazh i njohur për turistët. Me këtë emër, ky fshat hyri në Librin e Rekordeve Guinness në vitin 2002: për emrin më të gjatë në domenin digjital./UBTNews/