UBT News

Vendet më romantike në botë

Ndoshta do të zgjidhnit rërën e bardhë të një plazhi tropikal. Ndoshta është joshja e qyteteve ikonike kulturore si Parisi, Venecia apo Stambolli. Kudo që të shkoni, disa vende janë thjesht magjepsëse.

Këtu po ua sjellim disa vende ku peizazhet dhe arkitektura janë të përjetshme, pamjet me të drejtë të famshme – dhe romanca për ditën e Shën Valentinit ose çdo kohë të vitit është e garantuar.

Maldivet

Ky është gjithmonë opsioni i parë kur kërkoni për vende romantike. Vizitorët mund të zgjedhin më shumë se 100 resorte. Një nga resortet më të njohura, Soneva Jani ka vila mbi ujë në ishullin e pabanuar të Medhufaru.

Një vend interesant që ia vlen për t’u eksploruar është edhe Patina Maldives. Ka gjithsej 90 vila bashkëkohore dhe 20 studio nga arkitekti i njohur brazilian, Marcio Kogan.

Kebek – Kanada

Është franceze. Është historike. Ka një ambient spektakolar përgjatë dhe mbi lumin madhështor Lawrence. Me fjalë të tjera, Kebek është i rrethuar me dashuri.

Shëtisni në qytetet e njohura dhe zhyteni në hijeshinë e stilit evropian. Në restorantet e shumta ka ushqime që nuk do t’i gjeni as në Francë.

Toskana – Itali

Një vend tjetër romantik është edhe Toskana në Itali. Ka gjëra më romantike sesa veç të ikni në kodrat e Toskanës, por kjo bëhet edhe më tërheqëse kur e shoqëroni me verë të prodhuar në shtëpitë tuaja.

Castello di Ama është në Chianti, që do të thotë se vreshtat e tyre ofrojnë verëra që renditen ndër më të mirat në botë.

Vizitorët mund të zgjedhin një nga pesë suitat luksoze në Villa Ricucci të shekullit të 18-të.

Havai

Havai tashmë njihet si një nga destinacionet më të preferuara për muajin e mjaltit. Peizazhet e jashtëzakonshme, ujëvarat, malet, do t’ju magjepsin. Mësimet e sërfit për çifte ofrohen në një sërë pikash, por pak destinacione janë po aq ikonë sa plazhi Waikiki në Honolulu.

Çarlstoni – Karolinë e Jugut

Çarlston është po ashtu një vend tjetër romantik. Rrugët e çuditshme me kalldrëm, darkat buzë detit dhe shëtitjet me karroca nëpër qendrën historike i mbajnë vizitorët të lidhur me qytetin.

Për adhuruesit e luleve, plantacioni i afërt Magnolia është shtëpia e kopshteve më të vjetra publike të Shteteve të Bashkuara.

Paris – Francë

Parisi qysh moti njihet si një nga vendet më romantike. Padyshim që ka pamje dhe monumente ikonike, sikurse Kulla e Eiffel-it, rrugët e mbushura me artistë të Montmartrit ose galeritë e Luvrit.

Por ia vlen t’i eksploroni edhe vendet më pak të njohura. Musée de la Vie Romantique është një muze që iu dedikua romantikëve të artit, muzikës dhe letërsisë. Ky muze është i pasuruar edhe me një kopsht sekret.

Stamboll – Turqi

Ambienti i bukur i Stambollit të sotëm ka tërhequr njerëzit për shekuj – në fund të fundit, ishte aq tërheqës sa perandori Kostandini i Madh e zhvendosi kryeqytetin e Perandorisë Romake atje në vitin 330 pas Krishtit. Dhe historia dhe romanca kanë vazhduar që atëherë.

Ju mund të eksploroni pazarin e madh fantastik dhe pamjet mahnitëse si Xhamia Blu, Hagia Sophia dhe Pallati Topkapi. Bosfori fantastik, që lidh Evropën me Azinë, është thjesht mahnitës.

Venecia – Itali

Duke udhëtuar nëpër Italinë veriore, Venecia është një qytet mbi ujë që dallohet nga pjesa tjetër e rajonit. Venecia nuk ka kaluar ende nën ujë dhe konsiderohet qyteti më romantik në Itali. Eleganca dhe sharmi i përjetshëm janë me bollëk në një atmosferë magjepsëse./UBTNews

Exit mobile version