Kombet myslimane u zotuan të dielën të punojnë me Kombet e Bashkuara në përpjekje për të zhbllokuar qindra miliona dollarë në asetet e ngrira si përpjekje për të adresuar krizën humanitare në Afganistan, përcjell UBT News.
Në një takim të posaçëm në Pakistan të Organizatës 57-anëtare të Bashkëpunimit Islamik (OIC), delegatët thanë se do të punonin për të zhbllokuar kanalet financiare dhe bankare, në mënyrë që të rifillojnë ndihmat financiare dhe humanitare.
Nga ardhja e talibanëve në pushtet, ndihma dhe asete në vlerë prej miliarda dollarë janë ngrirë nga komuniteti ndërkombëtar dhe vendi tani është në mes të një dimri shumë të vështirë.
Një rezolutë e OIC e lëshuar pas takimit tha se Banka Islamike për Zhvillim do të udhëheqë përpjekjet për të liruar këto ndihma deri në tremujorin e parë të vitit të ardhshëm.
Ata u bënë thirrje gjithashtu sundimtarëve të Afganistanit që të respektojnë “obligimet sipas pakteve ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, veçanërisht të drejtat e grave, fëmijëve, të rinjve, të moshuarve dhe njerëzve me nevoja të veçanta”.
Ministri i Jashtëm i Pakistanit, Shah Mahmood Qureshi, tha se kriza e thelluar mund të sjellë uri masive, një vërshim refugjatësh dhe një rritje të ekstremizmit. Ndërsa kryeministri i Pakistanit, Imran Khan, tha se bota duhet të ndajë talibanët nga afganët e zakonshëm.
“Unë flas me Shtetet e Bashkuara në mënyrë specifike se ata duhet të shkëputin qeverinë e Afganistanit nga 40 milionë qytetarët afganë”, tha ai, “edhe nëse ata kanë qenë në konflikt me talibanët për 20 vjet”.
Edhe pse talibanët kanë premtuar një version “më të lehtë” të interpretimit të ligjit të tyre islamik që karakterizoi kohën e sundimit të tyre (1996-2001), gratë janë ende të përjashtuara nga punësimi në qeveri dhe shkollat e mesme për vajzat janë të mbyllura.
Rezoluta prej 31 pikash e OIC ishte e shkurtër dhe nuk jepte asnjë shifër për ndihmën financiare.
Takimi u mbajt nën masa të rrepta sigurie./UBTNews/