Studentët e Fakulteteve Arkitekturë dhe Planifikim Hapësinor, Dizajn i Integruar dhe Inxhinieri Ndërtimore dhe Infrastrukturë në UBT kanë vazhduar zhvillimin e vizitave studimore në kuadër të Eurotrip-it në qytetet: Desau, Berlin, Pragë dhe Vjenë.
Në qytetin Desau të Gjermanisë, studentët patën rastin të vizitojnë Fakultetin e Arkitekturës, Dizajnit dhe Dizajnit Grafik, me ç’rast kanë parë nga afër objektet me rëndësi për studentët, si dhe takuan katër studentët e UBT-së, të cilët vazhdojnë studimet në këtë universitet me ndihmën e programeve të ndryshme të Erasmus+ dhe programeve tjera të Bashkimit Evropian.
Në kryeqytetin e Gjermanisë, Berlin, studentët vazhduan vizitat e tyre në Parlamentin Gjerman “Reichstag”, në monumentin neoklasik historik të Berlinit “Brandenburg Gate”, në memorialin e murit të Berlinit “The Berlin Wall Memorial”, në qendrën e dokumentimit dhe memorialin e Holokaustit “Documentation Centre and Holocaust Memorial”, si dhe në muzeun “Checkpoint Charlie”.
Në Pragë të Çekisë, studentët vizituan: Fakultetin e Arkitekturës, urën mesjetare me hark guri që kalon lumin Vltava në Pragë “Charles Bridge”, kalanë e Pragës “Prague Castle”, e cila është një ndërtesë e trashëgimisë kulturore botërore të UNESCO-s, Bashkinë e vjetër me orë astronomike “Old Town Hall with Astronomical Clock”, Katedralen Metropolitane e Shenjtorëve Vitus, Wenceslaus dhe Adalbert “St. Vitus Cathedral”.
Në Vjenë të Austrisë, studentët vizituan: Fakultetin e Planifikimit Hapësinor, muzetë: “The Hundertwasser Museum”, “Kunsthistorisches Museum” dhe “The Mak Museum”, si dhe universitetet: “WU – Vienna University of Economics and Business” dhe “University of Applied Arts Vienna – Angewandte”.
Njashtu, studentët vizituan edhe shumë objekte të rëndësishme historike dhe kulturore, si nga periudha e ndërtimit, ashtu edhe nga dizajni i përdorur, duke u mundësuar një eksperiencë të re dhe të rëndësishme për nga aspekti profesional.