UBT News

Vëllai i Donjeta Pajazitajt pas vendimit të Supremes: Shteti po vret

Shkëlqim Pajazitaj reagoi pas vendimit të sotëm të Gjykatës Supreme, e cila e liroi nga akuza Naser Pajazitajn, të akuzuarin për vrasjen e Donjeta Pajazitajt.

Vëllai i Donjetës u shpreh se nga sot e tutje më nuk kanë besim as në Polici, Gjykata e Prokurori, pasi siç shkroi ai, që shtatë vjet nuk kanë qenë në gjendje ta ndriçojnë rastin. Ndër të tjera, ai shkroi se shteti po vret.

Gjykata Supreme liroi sot nga akuza Naser Pajazitajn, të akuzuarin për vrasjen e Donjeta Pajazitajt. Lajmin për KosovaPress e konfirmoi zëdhënësja e Gjykatës Supreme, Antigona Uka-Lutfiu, e cila bëri të ditur se vendimi u mor në seancën e sotme.

“Duke ju falenderuar per pyetjet, ju njoftoj se Kolegji penal i Gjykatës Supreme në seancën e mbajtur me datë 06 prill 2023, e ka liruar N.P., nga akuza për vrasje. Pas përpilimit të aktgjykimit brenda afatit ligjor, i njëjti do të bëhet publik”, u bë e ditur në përgjigjen e Uka-Lutfiut.

Sipas aktakuzës së vitit 2017, Naser Pajazitaj ishte akuzuar se më 9 nëntor të vitit 2015 në bjeshkët e Strellcit, në Deçan te vendi i quajtur “Kroi i Lajthisë” me armë dhe në mënyrë mizore kishte vrarë Donjeta Pajazitajn. Naser Pajazitaj ishte ngarkuar me veprën penale “Vrasje e rëndë”.

Exit mobile version