UBT News

Veliu raportoi për rastin në Karaçevë para deputetëve

Ministri i Punëve të Brendshme, Agim Veliu raportoi para deputetëve të Kosovës për rastin në Karaçevë. Veliu deklaroi para deputetëve se kanë pranuar informata nga ana e qytetarëve për patrullimet e xhandarmërisë serbe. Sipas tij, ata kanë lëvizur rreth një kilometër brenda territorit të Kosovës.

“Qytetarët e asaj ane na kanë informuar rreth orës 17:00 se xhandarmëria serbe janë parë në Karaçevë. Po ashtu rreth orës 18:00 ata janë parë në lagjen Bërnjashi të Karaçevës së Poshtme. Ata kanë lëvizur përafërsisht deri në një kilometër brenda territorit të Republikës së Kosovës.”, deklaroi ai mes tjerash.

Gjatë raportimit në Kuvend për këtë çështje, Veliu tha se policisë i është ndaluar qasja në atë zonë nga ana e KFOR-it që nga viti 2008, që thirret në marrëveshjen tekniko-ushtarake të Kumanovës, ndërmjet NATO-së dhe ushtrisë së Serbisë.

“Policisë së Kosovës nuk i lejohet qarkullimi në këtë pjesë, pasi që rruga Novosellë-Karaçevë është në territorin e kontestuar sipas marrëveshjes së Kumanovës, por policët zakonisht përdorin rrugë alternative për të dalur në fshatrat Karaçevë e poshtme, dhe Karaçevë e epërme. Kërkesë e përgjithshme e këtyre banorëve ishte që Policia dhe KFOR-i të patrullojnë në këtë pjesë përgjatë kufirit Kosovë-Serbi. Vlerësimi i përgjithshëm tani është që situata momentale është e qetë, por që duhet të mbahet nën kontroll nga organet e sigurisë”, deklaroi ai.

Sipas tij, pas incidentit të fundit është arritur një dakordim që në atë zonë të fillojnë patrullimet e përbashkëta të KFOR-it dhe policisë së Kosovës.

Exit mobile version