Blerim Vela, shef i stafit të kabinetit të presidentes Vjosa Osmani ka reaguar pas djegies së veturave sot në Zveçan. Ai ka deklaruar se strukturat ilegale dhe kriminale të Serbisë në veri të Kosovës kanë marrë urdhër për përshkallëzimin e situatës në terren.
“Protestues “paqësor” që përdorin veprime hibride dhe të dhunshme kundër forcave të rendit. Dhuna nuk do të mbizotërojë. Serbia mban përgjegjësi të plotë për përshkallëzimin”, ka shkruar Vela në Twitter.
Të shtëna armësh janë dëgjuar në Zveçan, ndërsa janë djegur vetura të Policisë.
Policia e Kosovës ka përdorur gaz lotsjellës për t’i shpërndarë qytetarët e mbledhur para objektit të Komunës së Zveçanit.
Gjatë ditës, Policia e Kosovës ka njoftuar se po asiston kryetarët e zgjedhur për të hyrë në objektet komunale.
Kryetari i Zveçanit, ai i Leposaviqit dhe kryetari i Zubin Potokut, të dalë nga zgjedhjet e 23 prillit, kanë kryer betimin të enjten. Asnjëri prej tyre nuk është betuar në objektin e komunës përkatëse, përveç kryetarit të veriut të Mitrovicës.
Zgjedhjet në veri janë bojkotuar nga partia më e madhe e serbëve në Kosovë, Lista Serbe, me mbështetjen e Beogradit zyrtar.
Kryetarët paraprakë nga kjo parti, kanë dhënë dorëheqje nëntorin e vitit të kaluar. Ata janë larguar nga institucionet në shenjë pakënaqësie me vendimin e Qeverisë së Kosovës që ka obliguar qytetarët t’i kthejnë targat e veturave nga ilegale në ato të Republikës së Kosovës.