Një person ka vdekur dhe pesë të tjerë kanë pranuar trajtim mjekësor si pasojë e zjarrit i cili ndodhi sot rreth orës 00:15 në Klinikën e Psikiatrisë të Qendrës Klinike Universitare e Kosovës (QKUK).
Sipas njoftimit të QKUK-së, dyshohet se një pacient i ka vënë zjarrin në rrethana të panjohura dhomës së tipit të mbyllur, me ç’rast si pasojë e ngulfatjes nga tymi (asfiksioni) ai ka humbur jetën, përkundër përpjekjeve maksimale të stafit shëndetësor për ta shpëtuar pacientin.
Po ashtu bëhet e ditur se një paciente tjetër dhe ekipi kujdestar i përbërë nga dy mjekë dhe dy infermiere kanë pësuar shenja të helmimit nga tymi, dhe të njëjtit kanë marrë ndihmë mjekësore.
“Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK), njofton se mbrëmë rreth orës 23:00, në Repartin e Urgjencës dhe Intensives Psikiatrike ka ndodhur një zjarr, në njërën nga dhomat e tipit të mbyllur, ku qëndrojnë pacientët përkohësisht, pacientë në gjendje të agresivitetit dhe agjitimit të theksuar psikomotor, jo koshient për gjendjen mendore. Në të njëjtin repart, në të njëjtën kohë, dyshohet se një pacient i ka vënë zjarrin në rrethana të panjohura dhomës së tipit të mbyllur, me ç’rast si pasojë e ngulfatjes nga tymi (asfiksioni) ai ka humbur jetën, përkundër përpjekjeve maksimale të stafit shëndetësor për ta shpëtuar pacientin. Gjithashtu gjatë kësaj kohe, një paciente tjetër ka pësuar shenja të helmimit nga tymi, e poashtu e tërë ekipi kujdestare, dy mjekë dhe dy infermiere të cilët gjatë ofrimit të ndihmës për pacientin në fjalë dhe evakuimit të pacientëve të tjerë, kanë manifestuar shenja të helmimit nga tymi dhe kanë marrë ndihmë mjekësore në Klinikën Emergjente”, thuhet në njoftim.
Rasti është duke u hetuar nga njësitet përkatëse të Policisë së Kosovës.