Një person ka vdekur si pasojë e zjarrit në një shtëpi në lagjen Ulpiana në Prishtinë. Rastin e ka konfirmuar për UBTNews zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci.
“Rreth orës 09:00 është pranuar informata për një zjarr në një shtëpi në rrugën “Musine Kokalari” në lagjen Ulpiana në Prishtinë. Menjëherë njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes ku kanë ftuar edhe zjarrfikësit të cilët kanë lokalizuar zjarrin. Bazuar në të dhënat fillestare nga këqyrja e vendit të ngjarjes, dyshohet për një person të vdekur ( shtetas i huaj) në rrethana të dyshimta brenda objektit të përfshirë nga zjarri”, deklaroi Borovci.
Ai ka bërë të ditur se policia ka nisur një hetim lidhur me rastin respektivisht për rrethanat e kësaj vdekjeje të dyshimtë si dhe shkaqeve të zjarrit, por edhe ndërlidhjen eventuale mes tyre./UBTNews