Në Spitalin Rajonal të Pejës ka vdekur sot një i burgosur. Lajmin e ka konfirmuar Shërbimi Korrektues i Kosovës, teksa u bë e ditur se i burgosuri gjatë qëndrimit të tij në Qendrën Korrektuese në Dubravë, për një kohë të gjatë kishte probleme psikiatrike dhe ishte trajtuar me terapi përkatëse.
Shërbimi Korrektues i Kosovës njofton se ai ishte i infektuar me COVID-19.
“Nga data 06.12.2020 me rekomandim të mjekut të Q.K Dubravë është hospitalizuar në Repartin Psikiatrik të Spitalit Rajonal të Pejës, ku përkundër ofrimit të ndihmës mjekësore, i njëjti ka ndërruar jetë.Gjatë qëndrimit të tij në Repartin Psikiatrik të Spitalit Rajonal të Pejës, M. C, me datë 10.12.2020 ishte testuar për Covid 19, me ç‘rast kishte rezultuar pozitiv”, thuhet në njoftimin e Spitalit.
Më tej bëhet e ditur se organet kompetente janë duke i zhvilluar procedurat ligjore, ndërsa autopsia do të verifikojë shkakun e vdekjes./UBTNews