Shërbimi Korrektues i Kosovës (SHKK) ka njoftuar se në Qendrën e Paraburgimit në Gjilan ka ndërruar jetë i burgosuri K.S.
Sipas njoftimit të SHKK-së, K.S është pranuar në burg me histori të sëmundjes paraprake.
“K.S është pranuar në burg më datë 24.06.2024, me histori të sëmundjes paraprake. Me urdhëresë të organit kompetent gjyqësor është dërguar në IPFK për ekspertizë më datë 05.07.2024 dhe ka qëndruar atje deri më datë 18.07.2024. Terapinë e përshkruar në fletëlëshim, i burgosuri e ka marrë me kohë dhe nuk ka pasur asnjë shqetësim apo simptomë për ndonjë përkeqësim të gjendjes psikike apo organike”, bëhet e ditur në njoftim.
Në njoftimin e Shërbimit Korrektues të Kosovës thuhet se organet kompetente janë duke zhvilluar procedurat ligjore, ndërsa bazuar në ligjet në fuqi, autopsia do të verifikojë shkakun e vdekjes.