Një person ka humbur jetën derisa po trajtohej në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), pasi ishte rrëzuar nga një objekt në vend të punës.
Policia e Kosovës njoftoi se ai është rrëzuar në Lipjan, e për rastin është arrestuar pronari i firmës ndërtimore dhe pronari i pronës. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet policore, prokurori dhe inspektori i punës.
Të arrestuarit janë dërguar në mbajtje, e trupi i pajetë është dërguar për obduksion.
Rasti po trajtohet si “asgjësim, dëmtim ose heqje e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikim i sigurisë në vendin e punës”.
Kjo është vdekja e parë sivjet e një punëtori që u lëndua në vendin e punës. Inspektorati i Punës gjatë qershorit kishte thënë se ka ulje të jashtëzakonshme të aksidenteve me fatalitet në vendin e punës.