Ka vdekur në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) 16-vjeçari nga fshati Uçë i Istogut, i cili është plagosur me armë zjarri në Dubravë të Istogut. Lajmin e ka konfirmuar shefi i Intensivës, Shaqir Uka. Ai ka thënë se 16-vjeçari ka vdekur në orët e hershme të mëngjesit.
“Pacienti të cilit iu referoheni fatkeqësisht nuk ka arritë me i përballu plagët që ka ëpsuar me rastin e lëndimit me armë zjarri dhe i nëjjti sot ka ndërruar jetë në orët e hershme të mëngjesit”, ka thënë Shaqir Uka.
Polici është arrestuar nga Inspektorati Policor i Kosovës nën dyshimin se ka plagosur me armë zyrtare aksidentalisht një familjar të tij të mitur në kokë.
Në komunikatën e Inspektoratit Policor të Kosovës, në ditën kur kishte ndodhur rasti thuhej se bazuar në hetimet preliminare fillestare dyshohet se rasti ka ndodhur në shtëpinë e zyrtarit policor i cili deri në këtë fazë të hetimit dyshohet se aksidentalisht ka shkrepur armën zyrtare.
Personi i dyshuar në këtë rast (zyrtari policor) është arrestuar nga Inspektorati Policor me dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale “vrasje e mbetur në tentativë” kurse me vendim të prokurorit të njëjtit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë si dhe është suspenduar nga detyra.