Aktorja amerikane Kaylee Hottle, e njohur për rolin e saj si Jia në filmat “Godzilla vs. Kong”, ka ndërruar jetë në moshën 18-vjeçare, pas një aksidenti me veturë në shtetin amerikan të Marylandit.
Lajmin e ka konfirmuar babai i saj, Joshua Hottle, përmes një videoje të publikuar në Facebook në gjuhën amerikane të shenjave. Edhe Shkolla e Teksasit për Personat e Shurdhër, ku Hottle kishte studiuar, shprehu ngushëllimet për humbjen e saj.
Sipas autoriteteve në Frederick County, aksidenti ndodhi në orët e para të mëngjesit të së martës në zonën e Ijamsville. Policia bëri të ditur se dyshohet se shpejtësia e tepërt ishte një nga faktorët që çoi në aksidentin me një automjet.
Shoferi 19-vjeçar u dërgua në spital me lëndime që nuk rrezikojnë jetën, ndërsa një pasagjer tjetër refuzoi trajtimin mjekësor. Autoritetet kanë kërkuar që të mos ketë spekulime rreth rrethanave të aksidentit.
Hottle, e cila ishte e shurdhër, fitoi vlerësime për interpretimin e personazhit Jia, një vajzë jetime, në filmin “Godzilla vs. Kong” të vitit 2021, rol të cilin e ripërsëriti edhe në vazhdimin “Godzilla x Kong: The New Empire” në vitin 2024.
Për interpretimin e saj në filmin e fundit, ajo ishte nominuar për çmimin Saturn Award në kategorinë e aktores së re më të mirë. Pas lajmit për vdekjen e saj, edhe Warner Bros. i bëri homazhe aktores përmes një postimi në rrjetet sociale./A.K/
