Një mësuese ka humbur jetën këtë të enjte në rrethin Hat Yai, në jug të Tajlandës, pasi një person shkrepi me armë zjarri në shkollën ku ajo punonte. Sipas njoftimeve zyrtare nga administrata provinciale, ngjarja e rëndë nisi të mërkurën kur një 17-vjeçar, duke përdorur një armë të vjedhur nga një punonjës policie, qëlloi mësuesen Sasiphat Sinsamosorn në ambientet e shkollës “Patongprathankiriwat”. Gjatë sulmit mbeti e plagosur edhe një nxënëse, por gjendja e saj shëndetësore ende nuk është bërë e ditur.
Viktima, e cila mbante edhe postin e drejtoreshës së shkollës, u dërgua me urgjencë në reanimacion për t’iu nënshtruar një operacioni, por ndërroi jetë rreth orës 2 të mëngjesit si pasojë e dëmtimeve të organeve të brendshme dhe humbjes së madhe të gjakut.
Stafi i shkollës u shpreh i tronditur përmes një mesazhi ngushëllimi, duke thënë se megjithëse humbja është e madhe, mirësia dhe kujtimet që ajo la pas do të mbeten përgjithmonë në zemrat e tyre.
Sa i përket autorit, i cili tashmë ndodhet në pranga, zyrtarët njoftuan se ai ka një motër që studion në atë shkollë dhe rezulton me histori të abuzimit me substancat, si dhe ishte liruar nga një spital psikiatrik në dhjetor të vitit të kaluar. Ky incident ka rikthyer vëmendjen te problemet me dhunën me armë në Tajlandë, ku raste të tilla nuk janë të rralla; një ndër më të rëndët ishte ai i vitit 2022, ku një ish-polic vrau 36 persona, mes të cilëve 22 fëmijë, në një sulm barbar në një kopsht fëmijësh.
