UBT News

Vdes gruaja në Gjilan, i biri akuzon stafin shëndetësor se nuk reagoi me kohë

Një grua e moshuar rreth moshës 90-vjeç ka ndërruar jetë në Spitalin e Përgjithshëm në Gjilan mirëpo djali i saj pretendon se kjo ka ndodhur për shkak të mos dhënies së ndihmës mjekësore.

Sipas të dhënave të para ende të pakonfirmuara, djali pretendon se nëna e tij ka pritur mbi 3 orë për t’iu nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjike ndërsa gjendja e saj i është përkeqësuar dhe për pasojë ka ndërruar jetë.

Në lidhje me këto pretendime policia konfirmoi se ka nisur hetimet në lidhje me rastin.

“Ankuesi mashkull kosovar ka raportuar se dyshohet se si pasojë e mosdhënies së shërbimit mjekësor viktima femër kosovare ka ndërruar jetë. Lidhur me rastin në vendngjarje kanë dalë njësitë kompetente policore për trajtim të rastit”, tha policia.

Pa dhënë më shumë detaje për shkak të hetimeve, policia vetëm shtoi se me urdhër të prokurorit të shtetit trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.

Exit mobile version