Faik Rexhepi, një figurë e njohur dhe simbol i qëndresës kundër regjimit të Sllobodan Millosheviqit, ka ndërruar jetë. Lajmin e bëri të ditur aktivisti i njohur i të drejtave të njeriut, Belgzim Kamberi, i cili njoftoi gjithashtu se varrimi i Faik Rexhepit do të bëhet nesër, më 25 shkurt 2025, në varrezat e qytetit në Dragodan, Prishtinë, në orën 15:00.
Faik Rexhepi ishte një burim frymëzimi për shumë njerëz, sidomos për guximin dhe qëndrimin e tij gjatë periudhës më të vështirë të okupimit. Në gusht të vitit 1990, Rexhepi, në atë kohë punonjës i ndërmarrjes “Feronikeli” në Drenas, së bashku me kolegët e tij, organizoi një protestë për të pritur një delegacion të Kongresit amerikan. Protesta, e cila ishte një akt i madh i rezistencës paqësore, u ndërpre ashpër nga policia serbe, e cila tentoi të shpërndante turmën me forcë.
Ndërkohë, Faik Rexhepi nuk u lëkund dhe qëndroi i palëkundur, duke u ulur këmbëkryq midis turmës, një veprim që simbolizonte qëndrimin e tij të palëkundur ndaj shtypjes dhe padrejtësisë. Ky moment mbeti në kujtesën kolektive, dhe disa vjet më vonë, në atë vend u vendos një monument në nderim të tij, i cili mban emrin “Burri që s’luajti vendit!”, si një përkujtim i veprës dhe guximit të tij.
Vdekja e Faik Rexhepit lë një boshllëk të madh në zemrat e atyre që e njohën si një njeri të guximshëm dhe simbol të luftës për liri dhe të drejta. Ai do të mbahet mend gjithmonë për kontributin e tij të pazëvendësueshëm në luftën kundër dhunës dhe padrejtësisë.
Në përkujtim të veprës dhe trashëgimisë së tij, kryetari i Këshillit Nacional të Shqiptarëve (KNSH), Enkel Rexhepi, ka shkruar:
“Fotografia e tij, ulur mes kaosit, me qetësinë e një njeriu që sfidon dhunën me dinjitet, ishte dhe do të mbetet përgjithmonë një dëshmi e guximit dhe e shpirtit të pathyeshëm të popullit tonë. Pusho në paqe, baca Faik!”
Po ashtu, kryetarja e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani, ka shkruar në postimin e saj:
“Sot i japim lamtumirën Faik Rexhepit, njeriut që me një akt të thjeshtë, por të madh, u bë pjesë e historisë sonë të qëndresës. Në gusht të vitit 1990, në mes të dhunës shtypëse serbe, ai nuk u tërhoq. Kur të gjithë u shpërndanë, ai qëndroi, i ulur dhe i palëkundur, duke u bërë simbol i vendosmërisë shqiptare. Sot, Prishtina e kujton me një monument përballë Hotelit ‘Grand’, si një shenjë nderimi për guximin e tij. Presheva, Bujanoci dhe Medvegja kanë dhënë shumë për lirinë e Kosovës dhe mbeten në zemrën e çdo shqiptari.
Pusho në paqe, Faik Rexhepi! Emri yt do të mbetet përjetë në kujtesën tonë!”
Me këto mesazhe, shumë qytetarë dhe institucione kanë nderuar dhe kujtuar guximin e Faik Rexhepit, duke e cilësuar atë si një hero të pashoq dhe një simbol të qëndresës shqiptare./UBTNews/