UBT News

Vdekjet në Spitalin e Pejës ndodhën si shkak i sulmit kardiak, jo helmimit

Dy vdekjet e dyshimta që kanë ndodhur të martën në Spitalin e Përgjithshëm të Pejës nuk kanë të bëjnë me helmimin në Deçan, por si shkak i sulmit kardiak.

Dyshimet se dy personat vdiqën si shkak i helmimit në Komunën e Deçanit i hodhi poshtë raporti i Institutit të Mjekësisë Ligjore (IML). Kështu ka bërë të ditur për KosovaPress, zëdhënësi i Prokurorisë Themelore të Pejës, Shkodran Nikçi.

“Fillimisht ka pasur shqetësime të mëdha të qytetarëve që kanë kërkuar ndihmë në QKMF në Deçan ku njëri nga ta ka qenë edhe njëri nga viktimat që është dërguar për obduksion më pas prokurori kujdestar të krimeve të rënda ka urdhëruar që dy trupat e pajetë t’u bëhet obduksioni dhe sot kemi pranuar një informatë nga eksperti i mjekësisë ligjore se të njëjtit kanë ndërruar jetë për shkak të sulmit kardiak, problemeve me zëmër. Me këtë rast janë hequr të gjitha dilemat se të njëjtit kanë mundur të jenë të helmuar apo ndërlidhet me rastin në Deçan”, tha ai.

Nikçi tha se tashmë nga 11 korriku janë duke e trajtuar rastin e helmimeve në komunë e Deçanit, por që kanë autorizuar organet përgjegjëse për kryerjen e analizave të ujit. Ai shpreson që shumë shpejt do të dihet se çka ka ndodhur me banorët e Deçanit për të cilët ekziston dyshimi se janë helmuar nga uji.

“Janë autorizuar IKShPK për marrjen e disa mostrave për të bërë analizën e ujit dhe e dini se si ka dal rezultatet. Jemi në pritje edhe të disa rezultateve tjera që shpresojmë që të njëjtat do japin ndonjë rezultat. Njëkohësisht janë duke u hetuar disa pista të hetimit dhe shpresojmë se nga këto hetime që po bëhen në terren, shpresojmë që brenda një kohë të shkurt të marrim një epilog se çka ka ndodhur në atë rajon”, tha Nikçi.

Zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejës, Shkodran Nikçi tha se është parë e arsyeshme që të bëhen edhe analizat e personave të helmuar.

“Në koordinim edhe me IKSHP është parë e arsyeshme qe të bëhen edhe analiza tek personat e helmuar varësisht nga rezultat edhe mund të vijmë tek një epilog”, deklaroi Nikçi.

Kujtojmë që gjatë ditës së djeshme dy qytetar të Deçanit kanë ndërruar jetë në Spitalin e Përgjithshëm të Pejës, dyshimet ishin se vdiqën nga helmimi që ka prekur banorë të disa fshatrave të komunës se Deçanit.

Ndërsa, 24 orët e fundit me simptoma të njëjta trajtim mjekësor në Qendrën Kryesore të Deçanit kanë kërkuar 310 pacientë, ndërsa vetëm sot deri në mesditë janë trajtuar 55 qytetarë. Në total shifra e personave të helmuar ka shkuar në 1 mijë 62. Këto të dhëna i ka bërë te ditura drejtori i QKMF-së në Deçan, Selmon Berisha. Rastet e para të helmimit në këtë komunë janë shënuar më 10 korrik të këtij viti.

Për shkak të situatës së krijuar komuna e Deçanit të martën ka shpallur gjendje emergjente.

Exit mobile version