UBT News

Vdekja e Mahsa Aminit, rriten tensionet në Iran

Studentët iranianë protestuan të martën në shumë universitete, duke sfiduar goditjen e përgjakshme të protestave ndërsa tensionet po rriten në prag të ceremonive të planifikuara që shënojnë 40 ditë nga vdekja e Mahsa Aminit.

“Një student mund të vdesë, por nuk do të pranojë poshtërimin”, brohoritën ata në Universitetin Shahid Chamran të Ahvaz, në provincën jugperëndimore të Khuzestanit, në një video që po qarkullon në internet e që u verifikua nga AFP.

Gratë e reja dhe nxënësit e shkollave kanë qenë në ballë të protestave që u nxitën nga vdekja e Aminit muajin e kaluar. Ajo vdiq në paraburgim pasi u arrestua nga policia e moralit nën dyshimet për shkeljen e kodit të rreptë të veshjes për gratë në Republikën Islamike.

22-vjeçarja iraniane me origjinë kurde vdiq tri ditë pasi u mor në paraburgim nga policia famëkeqe e moralit më 13 shtator teksa po vizitonte Teheranin me vëllain e saj më të vogël.

Aktivistët thanë se shërbimet e sigurisë e paralajmëruan familjen e saj për mosmbajtjen e një ceremonie dhe të mos u kërkonin njerëzve të vizitojnë varrin e saj të mërkurën në provincën Kurdistan, përndryshe “ata duhet të shqetësohen për jetën e djalit të tyre”.

E mërkura shënon 40 ditë nga vdekja e Aminit dhe përfundimin e periudhës tradicionale të zisë në Iran./UBTNews/

Exit mobile version