E përditësuar:
10:30
Trupi gjykues në rastin “Banjska” ka vendosur që seanca e sotme të mos mbahet për shkak të mungesës së dëshmitares së radhës, Dragana Antonijeviq.
Kryetari i trupit gjykues, Arben Hoti, tha se dëshmitarja nuk është paraqitur në gjykatë dhe ftesa për të nuk është pranuar në mënyrë të rregullt.
“Dragan Antojevic si duket nuk është paraqitur. Në bazë të provave të paraqitura në gjykatë, e njëjta nuk ka pranuar ftesën në mënyrë të rregullt. Konkretisht, për dëshmitaren e ka pranuar ftesën babai i saj, i cili me një farë forme e ka lënë të hapur mundësinë që ajo do të paraqitet në seancë. Me rastin e pranimit të ftesës, ai ka treguar se e njëjta gjendet në Serbi, po ashtu ka cekur një datë se kur mund të kthehet,” tha Hoti.
Ai shtoi se gjykata do të presë arsyetimin e mungesës së dëshmitares përmes dokumentacionit apo provave të besueshme, dhe më pas do të vendosë nëse ajo do të shoqërohet përmes organeve të policisë.
“Për këtë dëshmitare nuk ka arritur që ta arsyetojë mungesën. Gjykata ndërkohë do të presë që ta arsyetojë këtë mungesë në bazë të dokumentacionit apo dëshmive të besueshme, dhe pas saj do të merr vendim nëse e njëjta do të shoqërohet përmes organeve të policisë. Në këto kushte nuk do të mund të vazhdojmë seancën,” deklaroi ai.
Sipas kryetarit të trupit gjykues, seanca e radhës do të mbahet më 27 tetor, ku pritet të dëgjohet dëshmitari nga Maqedonia e Veriut./S.K/EO/
08:00
Seanca ndaj tre të akuzuarve në rastin “Banjska” do të vazhdojë edhe sot.
Blagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq dhe Dushan Maksimoviq, do të dalin sërish para trupit gjykues të Gjykatës Themelore të Prishtinës, me fillim nga ora 09:30.
Spasojeviq, Toliq e Maksimoviq, përballen me akuza të rënda për përfshirje në ngjarjet e 24 shtatorit 2023 në fshatin Banjskë të komunës së Zveçanit, ku një sulm i armatosur ndaj Policisë së Kosovës çoi në vdekjen e rreshterit Afrim Bunjaku dhe plagosjen e disa pjesëtarëve të tjerë të policisë./S.K/EO/