UBT News

Vazhdon sot seanca ndaj Bedri Shabanit dhe Muharrem Qerimit për akuzat për spiunazh

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë sot vazhdon seanca gjyqësore ndaj Bedri Shabanit dhe Muharrem Qerimit, të cilët akuzohen për spiunazh.

Seanca e mëparshme, më 13 nëntor, u ndërpre pas përjashtimit të përkohshëm të publikut, për shkak të gjendjes shëndetësore të të akuzuarit Shabani.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), ka ngritur aktakuzë më 19 shkurt 2025, duke i ngarkuar Shabanin dhe Qerimin se kanë mbledhur dhe dërguar informacione dhe dokumente tek BIA serbe.

Sipas PSRK-së, informacionet kishin lidhje me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, Policinë, Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë, Inspektoratin Policor, si dhe me ngjarje dhe objekte specifike, përfshirë masakrën e Reçakut.

Prokuroria thotë se qëllimi i këtyre veprimeve ishte krijimi i një konflikti të gjerë ndëretnik në Kosovë, përhapja e një narrative të pavërtetë që të lidhej Spitali Ushtarak i UÇK-së me të ashtuquajturën “Shtëpia e Verdhë” për trafikim organesh, dhe vënia në dyshim e së vërtetës për masakrën e Reçakut.

Muharrem Qerimi akuzohet gjithashtu për armëmbajtje pa leje./S.K/EO/

Exit mobile version